iPhone 6s shfaqet për herë të parë në një video

E publikuar: 26/08/2015 20:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë mbetur vetëm pak javë nga prezantimi zyrtar i telefonave më të rinj inteligjentë të Apple-it, ndërkohë vazhdojnë të shfaqen në internet informacione mbi to. Së fundmi është publikuar një video në YouTube, ku pretendohet të jetë iPhone 6s. Videoja tregon pjesët e brendshme dhe të jashtme të iPhone 6s, i cili ngjason shumë me paraardhësin e tij.

Videoja, e filmuar nga uebsajti MacRumors i Apple-it, nuk tregon pajisjen duke operuar me iOS 9, versionin më të fundit të softuerit mobil të Apple-it, por thjesht tregon një ikonë të tij.

Megjithatë, pajisja përkon shumë me informacionet e shumta që janë zbuluar deri tani për iPhone-in e ri. Ai ka një modem të përmirësuar, Qualcomm MDM9635M, i cili do të mundësojë shpejtësi më të lartë të të dhënave, ndërkohë që do të harxhojë më pak energji. Videoja tregon gjithashtu një procesor të përmirësuar. iPhone 6s pritet të ketë çipin e ri A9, dhe videoja shfaq një procesor më të madh brenda tek iPhone, edhe pse nuk është shënuar “A9”.

Seritë aktuale A8 kanë proces veprimi 20 nm, ndërsa versionet e reja do të përdorin procesor 14nm. RAM gjithashtu do të rritet në 2GB nga aktuali 1GB. iPhone i ri do të integrojë teknologjinë Force Touch që gjendet tek Apple Watch dhe disa modele MacBook.

iPhone 6s pritet të prezantohet gjatë një eventi që Apple do të organizojë në Kaliforni më 9 shtator. Ashtu si viti i kaluar, edhe këtë vit pritet që kompania të zbulojë dy modele të reja, versioni standard me ekran 4.7 inç dhe modeli “Plus” me ekran 5.5 inç. Përveç telefonave inteligjentë, Apple mund të prezantojë edhe një version më të madh të iPad-it dhe një Apple TV të ri.