Interit i anulohen dy gola nga VAR-i, por fiton në fund në udhëtim te Sampdoria

E publikuar: 23/09/2018 05:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Interi ka arritur të marrë një fitore të vuajtur te Sampdoria me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë në Serie A.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte paksa e barabartë, me të dyja skuadrat që patën rastet e veta për gol.

Mysafirët e Interit arritën edhe ta gjejnë golin në minutën e 43-të me anë të Radja Nainggolan, por goli u anulua pas rishikimeve të VAR-it.

Momenti i golit të Nainggolanit Foto: FC Inter/Twitter

Në pjesën e dytë, skuadra e Spalletti arriti të marr gjithë menaxhimin dhe të rris krijimin e rasteve për gol.

Mauro Icardi (69′, 72′) dhe Antonio Candreva (70′) ishin afër golit, por nuk patën fat dhe shifrat mbeten të pandryshuara.

Në minutat e mbetur, Interi vazhdoi trysninë dhe në minutën e 87-të gjen golin me anë të Kwadwo Asamoah, i cili shënoi një supergol për 0-1, por edhe ky gol u anulua nga VAR-i.

Sampdoria arriti t’i befasojë në minutën e 89-të me një gol të Gregoire Defrel, por edhe ky gol u anulua për pozitë jashtë loje.

Në minutat e mbetur dhe në shtesë, Interi gjeti edhe një gol në shtesë me anë të Marcelo Brozovic, duke arritur të fitojnë në fund me rezultat 1-0.

Pas kësaj fitore, Interi renditet në pozitën e shtatë me shtatë pikë, ndërsa Sampdoria e gjashtë me po kaq pikë.

Në ndeshjen e radhës, Nerazzurrët luajnë në shtëpi ndaj Fiorentinas, ndërsa Sampdoria udhëton te Cagliari. /Telegrafi/