Interi mposht SPAL-in dhe merr fitoren e katërt radhazi në Serie A, gati për Derby della Madonnina

E publikuar: 08/10/2018 04:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Interi ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 ndeshjen e tyre në udhëtim te SPAL-i në kuadër të javës së tetë në Serie A.

Skuadra e Luciano Spallettit ka hyrë në formë të mirë në kampionat pasi ka arritur edhe fitoren e katër radhazi.

Pjesa e parë nisi më mirë për Interin, të cilët gjetën golin e epërsisë në minutën e 14-të me anë të Mauro Icardi, i cili shënoi për 0-1.

Festa tek goli i parë i Icardit (Photo by Mario Carlini / Iguana Press/Getty Images)

Pas këtij goli, vendasit patën rast të barazojnë rezultatin, por në minutën e 18-të Mirco Antenucci humbi penalltinë.

Antenucci nuk e qëlloi fare kuadratin (Photo by Mario Carlini / Iguana Press/Getty Images)

Deri në fund të pjesës së parë, Interi pati një rast ideal në minutën e 30-të, por Keita Balde gaboi rëndë në pasimin për të gjetur Icardin e vetmuar dhe pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale.

Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit, të cilët bënë sulme të pareshtura në minutat e para dhe deri sa gjetën edhe golin e barazimit.

Luhej minuta e 72-të kur i inkuadruari në pjesën e dytë, Alberto Paloschi shënoi nga afërsia për 1-1 pas asistimit të Mohamed Fares.

Megjithatë, Interi nuk u dorëzua dhe vetëm pas gjashtë minutave lojë shënoi për 1-2 me anë të Icardit, i cili u shërbye nga Ivan Perisic.

Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa gjysmë raste nga të dyja skuadrat, por pa arritur të tundin më rrjetën dhe në fund Interi fitoi me rezultat 2-1.

Pas kësaj fitore, Nerazzurrët renditen në pozitën e tretë me 16 pikë, ndërsa SPAL-i në vendin e 14-të me nëntë pikë.

Në ndeshjen e radhës, Interi e pret në shtëpi Milanin në Derby della Madonnina, ndërsa SPAL-i udhëton te Roma. /Telegrafi/