Interi i kthehet fitoreve, shkëlqejnë Keita dhe Lautaro

E publikuar: 25/11/2018 07:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Interi i është kthyer fitoreve në Serie A pasi ka mposhtur me rezultat bindës 3-0 Frosinonen.

Interi ishte dominues në këtë sfidë nga fillimi, me Spallettin që bëri një varg ndryshimesh në formacion, duke lënë në stol Icardin.

Nerazzurët kishin dominimin, i cili u kurorëzua me gol në minutën e 10-të kur një pasim të Lautaro Martinezit e konkretizoi Keita Balde duke shënuar për 1-0.

Deri në fund të pjesës së parë Interi vazhdoi ta rrezikonte portën, por nuk shënoi.

Në minutën e 57-të një harkim i Keita Baldes e gjeti kokën e Martinez që duke u shkëputur në stilin e tij arriti të shënonte për 2-0 dhe epërsinë solide.

Deri në fund Interi shënoi edhe një gol, me Keita Balden që realizoi golin e tij të dytë për 3-0 dhe rezultatin përfundimtar (82’).

Interi me këtë fitore kalon në vendin e dytë me 28 pikë, nëntë pikë më pak se sa Juventusi që mban vendin e parë. /Telegrafi/