Inter u jep fund aludimeve: Nuk ka negociata me Barçën, për Lautaron

E publikuar: 04/04/2020 11:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Që prej ndaljes së futbollit, për shkak të përhapjes me shpejtësi të virusit vdekjeprurës Covid-19, janë intensifikuar zërat nga Spanja, për diskutime mes Interit dhe Barcelonës, për transferimin e Lautaro Martinezit te klubi katalan.

Megjithatë mbrëmjen e djeshme ka reaguar edhe klubi zikaltër, që ka theksuar se momentalisht nuk ka asnjë negociatë të hapur me Barcelonën për transferimin e Lautaros dhe ka kërkuar që mediat spanjolle të ndalin aludimet.

“Nuk kemi asnjë negociatë të hapur me Barcelonën për Lautaron, ndaj na vjen keq që mediat spanjolle aludojnë mbi këtë çështje dhe përfshijnë çdo ditë emra të rinj si pjesë të shkëmbimit. Lautaro është e ardhmja jonë, ndaj nuk kemi ndërmend ta lëmë të largohet”, deklaroi njeriu i merkatos te Interi, Piero Ausilio.

Kjo konfirmoi edhe njëherë dëshirën e zikaltërve për të mbajtur akoma Lautaron në skuadër, por nga ana tjetër dërgoi edhe një mesazh te Barcelona, për t’i bërë të qartë se sulmuesi argjentinas do të largohet vetëm në rast pagese të klauzolës dhe jo në marrëveshje shkëmbimi me lojtarë të tjerë.