Instagram shton indikatorin që tregon nëse një përdorues është online

E publikuar: 21/07/2018 02:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një postim në blog, Instagram njoftoi sot një tipar të ri: një pikë  të gjelbër statusi që tregon kur një përdorues është aktiv në aplikacion. Nëse jeni duke lundruar në Instagram, mund të  shihni një pikë të gjelbër pranë fotove të profilit të miqve, të cilët gjithashtu janë duke e përdorur Instagramin në atë moment.

Pika do të shfaqet në pjesën e mesazheve direkte të aplikacionit, por edhe në listën e miqve tuaj kur ju të ndani një post me dikë. Instagram sqaron se “Ju do të shihni statusin vetëm për miqtë që ju ndjekin ose njerëzit me të cilët keni biseduar në Insta Direct”.

Ju mund të çaktivizoni informacionin e statusit në butonin ” Gjendja e aktivitetit” në menunë e Cilësimeve të aplikacionit, ku është caktuar si aktiv. Para shfaqjes së këtij tipari, Instagram ofroi një tjetër tipar që tregonte se para sa kohësh dikush ishte aktiv duke e përshkruar si “ Active Now” ose “Active 3m ago”. Ky tipar gjithashtu shfaqet në zonën e mesazheve direkte.

Kjo lëvizje e Instagram nuk mund të thuhet se përbën ndonjë ndryshim të madh apo se përdoruesit do të jenë shumë të ngazëllyer për këtë funksion. Dukshëm Instagram po ecën në hapat e zgjedhur nga Facebook duke zbehur kështu edhe qetësinë që shumë përdorues kanë arritur ta gjejnë vetëm në Instagram.

Futja e ndryshimeve të mëdha në mënyrë graduale është e njëjta lojë që Facebook luan gjithmonë me produktet e saj, duke bërë ndryshime të lehta të dizajnit që ndryshojnë sjelljen e përdoruesit derisa një ditë të kuptojnë se nuk po përdorin të njëjtin aplikacion që kanë dashur, por gjithsesi nuk mund të heqin dorë nga përdorimi i tij. /PCWorld Albanian