Infektologu kosovar thotë se IKSHPK ka dështuar, propozon aplikimin e rekomandimeve të Shpend Ahmetit

E publikuar: 18/06/2020 08:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj

Instituti i Shëndetit Publik ka dështuar. Masat e deritashme për përballjen me pandeminë Covid-19 nuk kanë qenë të duhurat për Kosovën. Rekomandimet e bëra nga Shpend Ahmeti janë adekuate, të sakta, shkencërisht të bazuara dhe të qëlluara. MSH sa më parë t’i adoptojë këto si masa të përgjithshme për përballjen me pandeminë.

Që nga marsi, në paraqitjet e mia publike kam qenë kritik për mënyrën se si institucionet e Kosovës janë përballur me pandeminë. Nga fillimi i pandemisë e deri tash, disa herë kemi dëgjuar Institutin e Shëndetiti Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se jemi në “dy javët vendimtare” të pandemisë. U fol edhe për “bishtin” e pandemisë e absurditete tjera. Kur institucionet japin rekomandime që i demanton shumë shpejtë koha, ndërsa masat nuk e japin efektin e pritur, atëherë këto institucione bëhen jokredibile dhe nuk respektohen nga qytetarët, ndërsa rekomandimet e tyre nuk merren seriozisht dhe heshtazi kundërshtohen. Askush më shumë nuk e ka dëmtur betejën kundër pandemisë në Kosovë sesa institucionet e saj, me rekomandime e kërkesa joprofesionale.

Që në fillim të pandemisë e kam thënë, se masat e kufizimeve të tipit të karantinës, janë jodekuate për Kosovën (karantina bëhet për të sëmurët jo për të shëndoshët) dhe afatshkurtëra. Kosova nuk është e izoluar, ne jemi një pjesë shumë e vogël e botës prej 7 miliardë njerëzish, e që e gjitha po ballafaqohet me pandeminë. Në momentin kur masat lirohen, do të ketë kontakte mes njerëzve dhe rrjedhimisht do të ketë raste të reja. Ashtu siç ndodhi edhe tash. Nëse sërish do të ketë masa të tilla kufizuese, numri i rasteve të reja do të jetë më i vogël, por në moment kur masata lirohen sërish do të ketë raste të reja. Dhe kështu do të jetë derisa të zbulohet vaksina, me të cilën do ta imunizojmë popullatën dhe në mënyrë artificiale do ta krijojmë imunitetin kolektiv kundër virusit që shkakton Covid 19; ose  deri atëherë kur njerëzit do të infektohen dhe do të krijojnë imunitetin kolektiv të natyrshëm. E deri atëherë, detyra e shtetit është që ta mbajë nivelin e përhapjes së infeksionit në atë shkallë që institucionet tona shëndetësore do të jenë në gjendje të kujdesen për pacientët, por duke mos cenuar liritë dhe jetën e qytetarëve të vet. Institucionet tona shëndetësore, deri tash, nuk kanë qenë të angazhuara as 5-10% të kapacitetit të tyre për rastet me Covid-19.

Për këto dhe arsye tjera epidemiologjike e mjekësore, rekomandimet e bëra sot nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, i vlerësoj si shumë të qëlluara, të sakta dhe të duhura. Shpendi dhe komuna e kanë bërë punën që është dashur tash e sa kohë ta bëjë IKSHKP dhe MSH. Institucionet e shtetit t’i pranojnë dhe t’i jetësojnë këto rekomandime. Kjo do të na kursejë prej masave eventuale të pa arsyeshmë, të cilat do të shkaktojnë vuajtje të popullatës dhe dëmtim të ekonomisë.

Ilir Q. Tolaj është infektolog dhe professor i asociuar i sëmundjeve infektive./GazetaExpress/