Infektologia që e kontrolloi pacientin me coronavirus, në vetizolim 14 ditësh

E publikuar: 15/03/2020 21:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Infektologia Selvete Shurdhani, u.d. shefe e repartit të Infektivës në Spitalin Regjional të Gjilanit, është doktoresha që e kontrolloi pacientin e Vitisë, i cili me dyshime të bazuara u nis në Prishtinë, ku edhe rezultoi pozitiv.

Ajo dhe krejt stafi i ndërrimit të natës kritike që kujdestaruan në Qendrën Emergjente, i janë nënshtruar vetizolimit prej 14 ditësh, sepse rregullat shkencore e thonë kështu.

Ekskluzivisht për Mediafokus.info, doktoresha Selvete Shurdhani, tregon se është mirë dhe nuk ka shenja të infeksionit.

“Sot është dita e tretë që jam në vetizolim. Jam mirë dhe deri tani nuk kam shenja për infeksion. Por, me ligj të sëmundjeve ngjitëse, i tërë personeli shëndetësor që kontakton me pacientin e sëmurë, duhet të vendosen në karantinë deri në ditën 14-të të inkubacionit”, thotë infektologia Shurdhani, për Mediafokus.info.

Specialistja e sëmundjeve infektive sqaron se inkubacioni është koha prej momentit kur hyn virusi në organizëm deri në shfaqjen e simptomeve.

“Nuk domethënë gjithsesi që çdo kontakt me pacientin e merr COVID-19, por ligji i sëmundjeve infektive e thotë kështu dhe duhet të respektohet. Pra, duhet të pritet 14 ditë për konstatim të saktë”, ka thënë Selvete Shurdhani.

Ajo një ditë para se të ballafaqohej me pacientin, i cili rezultoi me coronavirus, e shfaqi brengën për rrezikun e infektimit nga pacientët.

“Jemi në rrezik permanent per t’u infektuar nga pacientët e sëmurë. Tani, a do të ketë kush brengoset për stafin mjekësor e veçanërisht për infektologët dhe teknikët që punojnë në Klinikën Infektive dhe në repartet infektive në rajon”, ka thënë ajo, transmeton Mediafokus.info.

Tash e tri ditë, u.d. shefja e Klinikës Infektive të Spitalit Regjional të Gjilanit, po qëndron e mbyllur në shtëpinë e saj.

Arsyeja pse ka vendosur të flasë publikisht që është në vetizolim, është për t’iu treguar qytetarëve se COVID – 19 nuk është hajgare, por duhet të merret seriozisht në zbatimin e rekomandimeve dhe rregullave në mënyrë strikte.

Tash e tutje, të gjitha rastet me simptoma të sëmudjeve infektive kontrollohen në Repartin Infektiv të Spitalit Regjional, që është vlerësuar se është rruga më e shkurtër e pengimit të infeksionit./Mediafokus.info/