Indonezi, shpërthim në zyrat qëndrore të policisë

E publikuar: 14/05/2018 22:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia indoneziane njoftoi se një familje prej pesë vetësh ishte autore e një sulmi vetëvrasës të së hënës në zyrat qëndrore të policisë në qytetin Surabaya, duke plagosur 10 vetë.

Disa pamje filmike tregojnë dy motoçikleta tek rrokullisen pranë pikave të kontrollit të sigurisë përpara shpërthimit.

Sipas autoriteteve, një vajzë 8 vjeçare i mbijetoi sulmin të së hënës. Mes të plagosurve janë katër policë dhe gjashtë civilë. Deri tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Surabaya është qyteti i dytë më i madh i vendit. Një ditë më parë ai u godit nga një tjetër ngjarje, kur një familje prej gjashtë sulmuesish vetëvrasës, mes tyre adoleshentë e fëmijë në moshë më të re, vunë nën shënjestër tre kisha, duke vrarë të paktën 13 vetë e plagosur 41 të tjerë.

Aktualisht të gjitha qytetet e mëdha të Indonezisë ndodhen në gjendje gatishmërie të lartë.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për shpërthimet e së dielës. Presidenti i Indonezisë e quajti aktin “barbar”. Sipas njoftimeve, familja e sulmuesve vetëvrasës ishte kthyer kohët e fundit në Indonezi, nga Siria.