Indonezi: Fillon evakuimi i turistëve pas tërmetit

E publikuar: 06/08/2018 20:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Indonezi kanë filluar përpjekjet për të evakuuar më shumë se një mijë të huaj nga ishujt turistikë, pas tërmetit të fuqishëm të së dielës, i cili vrau të paktën 98 vetë dhe la më shumë se 200 të plagosur rëndë.

Tërmeti me magnitudë 6.9 sipas Institutit Gjeologjik Amerikan, goditi në një thellësi prej 10.5 kilometrash në pjesën veriore të ishullit Lombok, duke u bërë shkak për një paralajmërim për cunami. Ai u ndje edhe në ishujt fqinjë Gili, si dhe Bali, Sumbava dhe pjesë të Javës Lindore.

Pjesa më e madhe e përpjekjeve të evakuimit janë përqendruar në ishujt e vegjël Gili. Turistët u rreshtuan në plazhet e vogla duke pritur anijet që do t’i çonin në ishullin më të madh të Lombokut.

Garuda Airlines e Indonezisë tha se po shtonte fluturimet nga Lomboku për të marrë turistët që kërkonin të largoheshin.

Një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Katastrofave u tha gazetarëve se numri i të vdekurve pritet të rritet ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit arrijnë në zona më të prekura. Ai tha se asnjë turist i huaj nuk është midis të vdekurve.