India – vendi më i rrezikshëm në botë për të qenë grua

E publikuar: 26/06/2018 12:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

India është vendi më i rrezikshëm në botë për të qenë grua, për shkak të rrezikut të madh nga dhuna seksuale dhe puna si skllave, tregon një studim i ri i ekspertëve.

Fondacioni Thomson Reuters publikoi të martën një anketë me 550 ekspertë të çështjes së grave dhe gjeti se India është vendi më i rrezikshëm për dhunën seksuale ndaj grave, trafikimin e tyre, martesat e detyruara e të tjera.

Pas Indisë, vendet më të rrezikshme për gratë janë Libia, Mianmari, Nigeria dhe Rusia.

“Gratë janë të cenueshme për shkak të statusit të tyre vartës ekonomik, social dhe kulturor”, tha Christa Hayden Sharpe nga Misioni Ndërkombëtar i Drejtësisë.

Sipas studimit, gratë në Indi përballen me kërcënim të madh nga trafikantët, sepse ato ende konsiderohen si objekte seksuale dhe qytetare të klasës së dytë.

Protestë në Nju Delhi kundër dhunës seksuale ndaj grave. Foto nga Arkivi

Protestë në Nju Delhi kundër dhunës seksuale ndaj grave. Foto nga Arkivi

Rreth dy të tretat e 15,000 rasteve të trafikimit të regjistruara në Indi në vitin 2016 kanë përfshirë gra – gati gjysma e tyre nën 18 vjeç. Shumica e tyre janë shitur për punë seksi dhe si shërbëtore shtëpiake.

“Trafikimi është një çështje globale, por nga të gjitha viktimat që kam parë, ato nga Azia Juglindore, kryesisht India, janë më të cenueshmet”, tha Triveni Acharya, nga Fondacioni i Shpëtimit, organizatë bamirëse në Indi.

Sipas saj, “vajzat vazhdojnë të shihen si barrë për prindërit dhe më me pak vlerë se djemtë”.

Në Libi, vend i ndarë midis qeverive rivale, ku portet kontrollohen kryesisht nga grupe të armatosura që kontrabandojnë afrikanë në anije që shkojnë për në Evropë, shumë migrantë ndalohen dhe detyrohen të punojnë, thonë Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Situata e grave që udhëtojnë përmes Libisë është vërtet e tmerrshme”, tha Hannah Salah, hulumtuese e çështjes së Libisë në organizatën Human Rights Watch.

“Do të thosha se shumica e tyre përballen me rrezikun e keqtrajtimit dhe abuzimit”, tha ajo.

Sipas studimit, gratë në Mianmar përballen me një tjetër kërcënim nga trafikantët: ato detyrohen të martohen në Kinë.

Mungesa e vendeve të punës në Mianmar bën që gratë të bien pre e trafikimit, thotë studimi.

Sipas Kombeve të Bashkuara, mijëra gra nigeriane dërgohen në Evropë çdo vit përmes Libisë dhe detyrohen të bëjnë punë seksi në Itali.

Rusia, ndërkaq, është burim dhe vend destinacioni për viktimat. Gratë ruse trafikohen në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, ndërsa gra nga Tajlanda, Kina dhe Nigeria trafikohen në Rusi, tha Alternativa, grup rus kundër skllavërisë.

Sipas tij, procesi i rreptë i vizave në Rusi ka bërë që trafikimi i grave në këtë vend të jetë një përpjekje e vështirë, por kriminelët e kanë shfrytëzuar Kampionatin Botëror të Futbollit, i cili u lejon vizitorëve të hyjnë pa viza në Rusi, nëse posedojnë biletë dhe kartë të tifozit.

Në dhjetëshen e parë të vendeve, ku të qenët grua është rrezik, janë edhe Filipinet, Afganistani, Tajlanda, Nepali dhe Bangladeshi.

Përgatiti: Valona Tela