Indi, dënim me vdekje për përdhunimin e viktimave në 12-vjeç

E publikuar: 21/04/2018 22:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Indi, kabineti qeveritar miratoi dënimin me vdekje si masë ndëshkimore për personat që shpallen fajtorë për përdhunim të fëmijëve nën moshën 12 vjeç. Masa merret me synimin për të luftuar dhunën seksuale që prek gratë, por edhe vajzat e mitura në këtë vend.

Urdhri ekzekutiv u njoftua sot pas një mbledhjeje emergjente të kabinetit nga Kryeministri Narendra Modi. Zoti Modi është përballur me presion në rritje nga popullata pas një numër përdhunimesh të njoftuara nga shtypi ditët e fundit. Bujë të madhe ka bërë rasti i një tetë-vjeçareje që u rrëmbye nga një grup burrash, u drogua dhe u përdhunuar për disa ditë radhazi, para se të vritej nga rrëmbyesit e saj.

Urdhëri që duhet miratuar nga parlamenti para se të hyjë në fuqi, ngre shkallën e ndëshkimit deri në dënimin kapital për përdhunuesit, që më parë dënoheshin me 10-20 vjet burg për përdhunimin e vajzave nën 16 vjet dhe me 10 vjet burg për viktimat mbi moshën 16 vjeç.

Masa është përshëndetur nga aktivistët, por ata shtojnë se prova e vërtetë qëndron tek zbatimi i saj.