|
Politika
|
|
E shtunë, 31 Korrik 2010 17:09 |
(INFOSOT) - “Ka ardhur momenti që Greqia edhe formalisht ta njohë Republikën e Kosovës, sepse ky do të ishte një gur shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, tha presidenti i Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot në kabinetin e tij me Dimitrois Droutsas, ministër i Punëve të Jashtme i Greqisë.
Duke ritheksuar faktin se Kosova e konsideron Greqinë dhe popullin e saj si një vend mik dhe fqinj historik, presidenti Sejdiu pohoi se Republika e Kosovës është shumë e përkushtuar që t’i thellojë edhe më tej marrëdhëniet e mira që tashmë ekzistojnë në mes dy vendeve tona.
Duke folur për raportet me këtë vend, presidenti çmoi pjesëmarrjen e trupave ushtarake greke në kuadër të KFOR-it, në misionin e ruajtjes së paprekshmërisë së kufijve dhe lirisë së vendit tonë, si dhe kontributin e të gjithë qytetarëve tjerë të Greqisë në misionet civile në vendin tonë.
“Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë tragjeditë që kemi përjetuar si popull, por jemi thellësisht të përkushtuar të punojmë për të ardhmen. Në qëndrimin tonë ndaj Serbisë ka një paradoks. Ndonëse Serbia nuk ka kërkuar asnjëherë falje për krimet e tmerrshme që ka bërë në Kosovë, ne i kemi shtrirë asaj dorën e miqësisë dhe të bashkëpunimit, me qëllim që si dy vende fqinje të lëvizim më shpejt drejt integrimeve euroatlantike”, tha presidenti.
“Ne besojmë se pas mendimit aq të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tanimë janë hequr të gjitha dilemat që ndonjë vend mund të ketë pasur sa i përket legjitimitetit të pavarësisë së vendit tonë, që është njohur deri më sot nga 69 vende demokratike anekënd botës dhe pret që shumë shpejt të njihet edhe nga shumë vende të tjera”, vijoi Sejdiu.
Mirëpo, ai ritheksoi se Kosova është e interesuar për raporte të mira ndërfqinjësore me Serbinë, por nuk do të bisedojë kurrë me të për çështjen e statusit, për integritetin e Kosovës, apo për çfarëdo forme të statusit special të ndonjë pjese të territorit të saj.
Ministri Droutsas, ndërkaq, tha se Greqia dëshiron të promovojë frymën e bashkëpunimit në rajon.
“Greqia beson fuqishëm në perspektivën e përbashkët evropiane, e cila do të krijojë paqe dhe stabilitet të përhershëm për të gjitha vendet e rajonit”, tha ai.
Sa i përket mendimit këshillëdhënës të GJND-së, ai pohoi se Greqia i jep rëndësi të madhe këtij mendimi dhe është duke e studiuar atë me kujdes.
 |