(INFOSOT) - Ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, i janë prishur pushimet të mërkurën. I ndodhur në njërin nga plazhet e Shqipërisë, Syla është njoftuar nga avokati i tij, Tomë Gashi, se Policia e EULEX-it nën mbikëqyrjen e prokurorit special, Maurizio Salustro, ka bastisur për disa orë shtëpinë e tij në fshatin Kishnarekë të Drenasit dhe ia ka lënë një ftesë për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
I kontaktuar nga e përditshmja “Koha Ditore” nëpërmjet telefonit, ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se arsye e bastisjes së shtëpisë së tij janë, siç i ka quajtur ai, rrenat dhe shpifjet e një spiuni të Serbisë.
“Në bazë të avokatit, rrenat dhe shpifjet që ishin nga spiuni dhe psikopati serb Bllaca që sa muaj me radhë, d.m.th. ato fjalë dhe shpifje në bazë të tyre. Ato janë shpifje dhe rrena”, ka thënë Syla.
Azem Syla tashmë është edhe zyrtarisht i dyshuar për vepra të rënda penale të kryera pas luftës, sipas dëshmive që kishte dhënë Nazim Bllaca.
Tridhjetetetëvjeçari Bllaca kishte thënë në një videoincizim të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, të cilën e patën shpërndarë dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Gani Geci e Adem Salihaj, se kishte punuar në strukturën e ekzekutimit, si shtyllë e veçantë në SHIK, nën drejtimin e Azem Sylës dhe të Xhavit Halitit.
Sipas tij, anëtar i SHIK-ut ishte bërë pas një bisede ndërmjet Ekrem Jasharit dhe Azem Sylës në Lipjan. Bllaca pati thënë se vrasjen e parë ta ketë kryer më 15 qershor në Komunën e Lipjanit. Bllaca pati thënë se në vrasjen e Ibush Kllokoqit në Prishtinë ka gisht Azem Syla.
“Në prill të 2007-s, Azem Syla më ka thënë mua që unë, Azem Syla, kam pasur gisht direkt te vrasja e Ibush Kllokoqit”, kishte thënë Bllaca.
Ai pati thënë se kishte marrë urdhër nga Azem Syla për vrasjen edhe të Adem Salihajt.
“Adem Salihajn nuk e kam njohur kurrë. Mirëpo, për Adem Salihajn, si një person me ndikim, urdhri ka ardhur nga Azem Syla dhe Ekrem Jashari, sipas të cilëve Adem Salihaj duhej të vritej”.
Por të gjitha këto deklarata të Bllacës në bazë të të cilave tashmë janë arrestuar katër persona dhe është bastisur shtëpia e ish-komandantit të UÇK-së, Syla i quan të çmendura. Megjithatë Syla ka premtuar se në ditët në vazhdim do të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Unë u njoftova nëpërmjet avokatit, ashtu që në këto ditët e ardhshme do të paraqitem sipas ftesës që e kam. Të gjitha këto kohës ia lëmë dhe avokatin e kam për të biseduar më gjatë. Jam në pushim”, ka shtuar Syla nëpërmjet telefonit. Syla ka vazhduar t’i quajë si shpifje dëshmitë e Bllacës të bëra nga një psikopat dhe spiun serb.
“Thashë edhe në fillim, nga shpifjet që sa muaj me radhë të një psikopati dhe të një spiuni serb, i cili sa vite kishte qëndruar në Serbi, janë shpifje dhe rrena dhe më tutje s’dua as të komentoj. Faktet janë se ai vetë ka deklaruar se dy vjet ka ndejtur andej, psikopati që është shëruar tek mjekët dhe kaq”, ka përfunduar Syla.
Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, ndërkaq ka njoftuar se klienti i tij do të paraqitet në prokurori më 4 gusht, ndërsa ka kritikuar EULEX-in për bastisjen me arsyeje se është dashur të njoftohet për këtë aksion.
“Unë nuk jam njoftuar për bastisjet që i ka bërë sot EULEX-i edhe pse e kam dorëzuar autorizimin për përfaqësimin e tij qysh në nëntor 2009, atëherë kur është përmendur nga Nazim Bllaca, kinse Azem Syla ka qenë i përfshirë në ato vepra”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë sipas dëshmisë së Nazim Bllacës, Azem Syla e ka pranuar vetë se qëndronte prapa atentatit ndaj Adem Salihajt. Bllaca pati thënë se një kushëri i Azem Sylës, Sh. S., e kishte paguar Hysri R. për ta vrarë atë.
Një audioincizim që e pati siguruar “Koha Ditore” në të cilën flisnin Nazim Bllaca dhe Hysri R., ky i fundit e pranonte se kishte marrë kapar mbi tre mijë euro nga Sh. S. për ta vrarë atë. Në këtë incizim, i cili është bërë më 21 qershor të vitit të kaluar në shtëpinë e Hysri R., në fshatin Sankovc të Komunës së Drenasit, ai e pranon se është paguar 100 mijë euro për ta vrarë Bllacën.
“Mu m’i ka lëshue, 100 mijë euro janë kanë për fillim, për start me m’i dhanë, s’i kam marrë krejt ato po dikun nja 3-4 mijë euro, qashtu janë kanë për fillim. Shabani m’i ka dhanë me dorë t’vet. Unë e kam thirr Nazimin e i kam thanë me ik prej ktuhit”, thotë Hysri R. në këtë incizimin mbi dyzet minutash.
Sipas familjes Bllaca, pazari për vrasjen e Nazimit ndërmjet Hysri R. dhe Sh. S.– kushëri i afërt i Azem Sylës, është bërë në gusht të vitit 2007.
I vetakuzuari për të paktën një vrasje dhe 16 vepra të tjera penale, Nazim Bllaca, në prani të babait të tij dhe vëllezërve, në odën e Hysri R. e pyet se a i ka pasur borxh diçka Sh. S. Ndërkaq Hysriu mohon t’i ketë pasur ndonjë borxh.
“Absolut s’ka pas, kurrfarë obligimi s’ka pas Nazimi ndaj tina. Unë çka jam i sigurt kush m’i ka dhanë paret, paret m’i ka dhanë Shaban Syla, nuk m’i ka dhanë as Azem Syla, as Fahredin Gashi”, thotë në këtë incizim Hysri R., i cili i kishte mohuar kategorikisht akuzat e Bllacës.
Gazeta ka publikuar edhe një audioincizim tjetër në të cilin flasin Nazim Bllaca dhe Shpresim Uka, që pretendon se Bllaca ishte takuar me Azem Sylën.
 |