|
(INFOSOT) Në Luginën e Preshevës situata po bëhet inkandeshente dhe prej andej, një tym paralajmërues tensionesh po përhapet drejt Luginës Kosovës dhe krejt rajonit.
Një eksploziv i shpërthyer mesnatën e 14 korrikut në një ndërtesë pranë stacionit hekurudhor të qytetit të Preshevës dhe ku u plagosën dy shqiptarë, ishte sinjali i një ofensive bastisjesh dhe reprezaljesh të policisë dhe të shërbimit sekret serb mbi familjet shqiptare dhe popullsinë shqiptare, të shoqëruar me arrestime të shqiptarëve.
Është një skemë dhe një ritual i njohur i policisë serbe, që nën pretekstin e kërkimit të armëve, persekuton dhe organizon arrestime të banorëve shqiptarë. Janë metoda të praktikuara që në kohën e ish-Jugosllavisë, janë të praktikuara në kohën e presidentit kriminel lufte, Sllobodan Millosheviç, dhe po i shohim tani të aplikuara kundër shqiptarëve nga qeveria “proeuropiane” e Serbisë dhe konkretisht nga kryetari i partisë së Millosheviçit, që është tani zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç. Tensioni po ngrihet në Luginën e Preshevës, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku jetojnë shqiptarët, në trevat e tyre në jug të Serbisë, ku fushata e represionit dhe e terrorit serb ka krijuar një klime frike dhe pasigurie. Jo rastësisht operacionet policore të Serbisë kundër popullsisë shqiptare organizohen rregullisht në stinën e verës, kur emigrantët shqiptarë që punojnë në Perëndim vijnë pranë familjeve të tyre në Luginën e Preshevës. Nëpërmjet këtij presioni fizik dhe psikologjik, Serbia synon të detyrojë emigrantët shqiptarë të marrin familjet me vete dhe të shpërngulen në Perëndim.
Strategjia e qeverisë së Serbisë është të pakësojë në maksimum, dhe mundësisht t’i shkulë, të gjithë banorët shqiptarë prej Luginës së Preshevës. Në funksion të kësaj strategjie Serbia nuk po zbaton detyrimet, që ka marrë nga Marrëveshja e Konculit e vitit 2001, që ka nënshkruar me NATO-n për të drejtat, barazinë dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucionet qendrore e lokale. Ajo marrëveshje i dha fund konfliktit të armatosur mes popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës dhe qeverisë serbe në vitin 2000, konflikt që i kishte rrënjët pikërisht tek diskriminimi i egër ndaj popullsisë shqiptare. Qeveria serbe, jo vetëm nuk po zbaton Marrëveshjen, por ajo në mënyrë të qëllimshme po godet ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, UÇPMB, të cilët, në zbatim të Marrëveshjes, hoqën dore vullnetarisht nga formacionet ushtarake dhe u kthyen në jetën civile. Familjet e anëtarëve të UÇPMB-së po bastisen të parat këto ditë dhe anëtarët e tyre po arrestohen. Në dhjetor të vitit të kaluar, forcat policore serbe arrestuan dhjetë shqiptarë të kësaj zone dhe ata mbahen ende në burgun qendror të Beogradit pa u gjykuar.
Kjo që po ndodh në Luginën e Preshevës është një situatë e provokuar dhe kalkuluar nga qeveria, policia dhe shërbimet sekrete të Serbisë, të cilët, përveç dëbimit të popullsisë shqiptare, kanë synime më të gjera politike kundër Kosovës. Nuk duket e rastit që qeveria e Serbisë i dha operacionit të saj në Luginën e Preshevës një profil të lartë politik e diplomatik, brenda dhe jashtë vendit, dhe në mënyrë teatrale në rajonin e Luginës së Preshevës zbritën për vizita, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ministri i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç. Në mënyrë të njëkohshme me operacionin, Beogradi zyrtar lëshoi akuza për gjoja implikimin e policisë së Kosovës në futjen e armëve në Luginë dhe në armatosjen e shqiptarëve atje, dhe për të qenë në modë me fjalorin e kohës, formuluan akuza për “akte dhe veprimtari terroriste të shqiptarëve”.
Pretendimet serbe për implikimin e policisë dhe të autoriteteve të Kosovës synojnë të krijojnë një klimë të re tensioni në kufijtë mes dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës, si dhe të ushtrojnë një presion fizik, policor e ushtarak, ndaj shtetit të Kosovës. Serbia kërkon ta paraqesë Kosovën si një faktor tensionesh dhe burim veprimtarish terroriste, dhe shtetin e ri të Kosovës si një element turbullirash në rajon. Kjo duhet parë si pjesë e fushatës së saj për të zhvleftësuar pavarësinë e Kosovës dhe për të pakësuar mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për Kosovën, dhe për të bllokuar valën e njohjeve ndërkombëtare për shtetin e Kosovës.
Siç është në traditën më të vjetër të politikës zyrtare dhe të sjelljes armiqësore të Serbisë ndaj kombit shqiptar, edhe kësaj radhe Serbia përfshiu në akuzat e saj gjithë shqiptarët, kudo që janë. Shërbimi sekret serb shpërndau në shtypin qeveritar serb një raport me akuza për “karakterin mbarëkombëtar shqiptar të veprimtarive terroriste”, dhe me rastin e ngjarjeve në Preshevë akuzoi se në këto veprimtari janë të përfshira Kosova, shteti i Shqipërisë dhe formacione shqiptare në veri të Maqedonisë. Banaliteti i akuzës “mbarëkombëtare”, natyrisht nuk duhet të bëjë që ajo të lihet jashtë vëmendjes dhe reagimit nga të gjithë faktorët shqiptarë, të përfshirë në akuzat absurde serbe.
Në një plan më të gjerë diplomatik dhe rajonal, ofensivat policore antishqiptare të Serbisë në Luginën e Preshevës kanë edhe disa synime të tjera: -Ato synojnë të bëjnë presion mbi popullsinë shqiptare të Luginës së Preshevës që të mos ngrejë zërin te faktori ndërkombëtar dhe të kërkojë të drejtat e saj, ashtu siç po i kërkon dhe po dëgjohet minoriteti serb në veri të Kosovës. Popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës është tre-katër herë më e madhe se sa minoriteti serb në veri të Kosovës dhe ajo, me të drejtë, ka nisur ta ngrejë zërin për barazi qëndrimi ndërkombëtar ndaj të drejtave të saj.
-Serbia synon të bëjë presion mbi Kosovën, që Prishtina të mos ngrejë zërin dhe të mos e përdorë çështjen dhe kartën e Luginës së Preshevës në tratativat ndërkombëtare për probleme të rajonit. Sepse, është e drejtë dhe detyrë e qeverisë së Kosovës, që kur i bëhet presion për privilegje dhe trajtime specifike për pakicën serbe në veri të Kosovës, të kërkojë të njëjtin trajtim për popullsinë shqiptare në Luginën e Preshevës.
-Serbia synon të eliminojë faktorin dhe elementin shqiptar në Serbi, sepse gjendja e mjerueshme e të drejtave të njeriut në Luginën e Preshevës është një diskreditim për të ashtuquajturën qeveri demokratike në Serbi. Kjo e ashtuquajtur demokraci ndjek një politikë të diskriminimit të egër dhe të ndjekjes e të persekutimit policor ndaj popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës, por edhe ndaj popullsisë shqiptare dhe boshnjake në rajonin e Sanxhakut. Me një trajtim të tillë të popullsive joserbe brenda Serbisë, Beogradi nuk mund të pretendojë të marrë statusin e shtetit kandidat të BE-së, status të cilin, për fat të keq, disa shtete në BE kërkojnë t’ia japin si privilegj të veçantë, pa i kërkuar zbatimin e standardeve demokratike ndaj pakicave në shtetin e Serbisë.
Tymi që po del në Luginën e Preshevës, natyrisht nuk është sinjal vetëm për Preshevën. Ai është një tym që duhet të shihet në Prishtinë, në Tiranë dhe në Bruksel. Ai është paralajmërues, për vendin ku ndodh, për kohën kur ndodh dhe për kombin kundër të cilit drejtohet. E përsërisim: Në Preshevë po del tym.
 |