Incidenti i policëve të Kosovës me shtetasit amerikanë (Video)

E publikuar: 14/03/2016 11:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetasit amerikanë, Jonay dhe Olga Jonay kanë menduar se kanë rënë pre e dy kriminelëve të armatosur.

Por, njerëzit që po u drejtonin armët ishin pjesëtarë të njësisë së mbrojtjes së afërt, të Policisë së Kosovës.

Ramadan Krasniqi dhe Bajram Gashi aso kohe kishin nën mbrojtje kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Kjo ngjarje që duket si në filma aksion është e incizuar me celular. Ka ndodhur një vit e gjysmë më parë në hyrje të Fushë-Kosovës. Shkas ishte bërë drejtimi i revoles nga polici, Bajram Gashi, veturës civile në të cilën ndodheshin pos amerikanëve, edhe Blerim Ramosaj dhe Besnik Tahirukaj.

Insajderi ka një kopje të incizimit.

Në hyrje të autostradës në Gjurgjicë, civilët po udhëtonin në shiritin e shpejtë. Prapa tyre vjen me shpejtësi të madhe vetura civile Toyota. Prej xhamit të saj, polici Bajram Gashi nxjerr revolen dhe ia drejton veturës duke paralajmëruar shoferin që ta lirojë shiritin e shpejtë.

Kur udhëtarët shohin se dikush po u drejton revolen, thërrasin Policinë dhe i vihen pas veturës civile me të cilën udhëtonin dy policët.

Nisin të xhirojnë ngjarjen dhe komunikimin me stacionin policor në Fushë-Kosovë.

Mirëpo, në hyrje të Fushë-Kosovës në kryqëzimin e autostradës që çon për në Shkup, policët u bllokojnë rrugën udhëtarëve. Të dy të veshur me rroba civile, nxjerrin armët duke kërkuar nga ta të dalin nga vetura.

Hasin në rezistencë. Atyre nuk u hapet dera e as dritarja derisa të vije patrulla e uniformuar policore nga Stacioni policor i Fushë-Kosovës.

Katër udhëtarët përfshirë shtetasit amerikanë shoqërohen në Stacionin policor në Qendër si të dyshuar. Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Basri Morina kishte dashur që t’u caktonte ndalim policor prej 48 orësh.

Pasi ishte njoftuar Ambasada Amerikane për incidentin, në stacion të Policisë kishte shkuar kryeprokurori, Imer Beka.

“Lirojini njerëzit se nuk ka vepër penale këtu”, kishte thënë ai pasi kishte shqyrtuar rastin.

Në rast ishte implikuar Inspektorati Policor i Kosovës për të kryer hetime penale kundër policëve. IPK kishte mbyllur rastin “në mungesë të veprës penale nga ana e policëve”.

Pasi ishte vendosur që të “dyshuarit të liroheshin”, Policia kishte kërkuar të fshihej incizimi. Ishte bërë presion mbi ta për ta fshirë atë. Personi që kishte incizuar kishte gënjyer se e ka fshirë incizimin. Pas kësaj ishin lënë të lirë.

Në Inspektoratin Policor kanë thënë se hetime nuk janë kryer për shkak se nuk ka pasur elemente të veprës penale. Kanë thënë se me këtë çështje është marrë Standardet Profesionale në Polici.

Por, Policia për më shumë se një javë nuk ka kthyer përgjigje nëse ka kryer hetime disiplinore apo jo ndaj policëve.

Për këtë incident nuk është përgjigjur as Ambasada Amerikane në Kosovë./Insajderi.com/