Incidenti në Gushincë, skenar apo sinjal për destabilizim

E publikuar: 22/04/2015 21:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjendja e sigurisë në rajonin e Likovës, është normale pas incidentit të së hënës të raportuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, për një sulm të armatosur ndaj pikës kufitare në fshatin malor Gushincë, në kufirin me Kosovën.

Në këtë zonë, sipas MPB-së, janë dërguar forca policore për të vendosur kontrollin ndaj stacionit policor, i cili, sipas saj, ishte cak i sulmit të rreth 40 personave që ishin prezantuar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Lidhur me këtë incident, të martën vonë, ka mbajtur mbledhje Këshilli i Sigurisë Kombëtare që drejtohet nga presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov.

Në komunikatën e publikuar, thuhet se “institucionet kompetente kanë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit, gjetjen dhe sanksionimin e autorëve të këtij akti terrorist“.

Këshilli, gjithashtu ka ftuar të gjithë faktorët në vend që të sillen me “përgjegjësi dhe të mos e keqpërdorin rastin për qëllime të ndryshme“.

Por, ky incident ka hasur në reagime të ndryshme në opinion, duke shfaqur dyshime lidhur me ekzistimin e tij, edhe për faktin se banorët e fshatit lidhur me këtë rast ishin njoftuar nga mediat në orët e vona të pasdites.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, thonë se bëhet fjalë për “skenar të pushtetit për të shpërqëndruar vëmendjen nga kriza politike si pasojë e aferës së përgjimeve“.

Vlladimir Pivovarov, profesor i çështjeve të sigurisë në Universitetin Fon të Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se rasti ka të bëjë me shumë dilema dhe paqartësi.

“Në historinë e terrorizmit ndoshta ky është rasti i parë që të mund të mësohet për një sulm atipik të terrorizimit nëse vërtetë ka ekzistuar. Është simptomatike të kryhet sulm terrorist dhe të mos ketë viktima, të mos dihen sulmuesit, policët të mos bëjnë rezistencë, e kështu me rradhë. Ka shumë dilema, shumë paqartësi, shumë çështje simptomatike, dyshime, nëse vërtëtë ka ndodhur diçka e tillë”.

“Këtë e thëm nëse ngjarja analizohet në aspektin taktik dhe kriminalisitik. Ministria e Brendshme njofton për rastin 10 orë pasi që ka ndodhur, diçka e palogjikshme. Forcat policore nisen për në vendin e ngjarjes sikur të bëhet fjalë për ndonjë lojë sporti e jo akt terrorist“, thotë Pivovarov.

Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Unviersitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropën e Lirë, se bëhet fjalë për skenar të paramenduar mirë, për ngritjen e tensioneve ndërentike në kohën e krizës së thellë politike.

Ai thotë se pushteti tenton me çdo kusht që të gjejë mënyra për të zhvendosur vëmendjen nga “afera e përgjimeve“, skandal, ky sipas tij, më i madhi që ka përjetuar ndonjëherë Maqedonia.

“Është inskenim aventuresk dhe vetë përzgjedhja e këtyre terreneve, pra në territoret shqiptare do të thotë përbuzje e të gjitha atyre investimeve të bëra nga Evropa dhe bota. Kjo është rruga më e keqe që ka zgjedhur aparati shtetëror që me akte të tilla të mbulojë krimet dhe veprimet e tjera”.

“Në drejtësi ka një term që thotë se nuk ka krim pa gjurmë andaj do të ishte mirë që gjurmët t’u përshtaten njerëzve adekuat, ata që kanë inskenuar aktin, e jo te qytetarët e pafajshëm. Për ne shqiptarët, kjo ngjarje që ka ndodhur është një ofendim i madh“, thotë Selmani për Evropën e Lirë.

Ndërkohë, vlerësime për ngjarjen ka dhënë edhe Stojanço Angellov, një nga ish-komandantët kryesor të forcave speciale policore maqedonase nga konflikti i vitit 2001. Ai ka dalë më vlerësime se pushteti ka ndarë 2 milionë euro për të inskenuar ngjarje të tilla me qëllim destabilizimin e vendit.

“Ne prej para disa javësh e paralajmëruam një mundësi të tillë. Unë personalisht, nga disa burime të pavarura kam të dhëna se persona të armatosur kanë marrë rreth 2 milionë euro që të kryejnë akte për shpërqëndrimin e vëmendjes, nuk do të thoja destabilizim, sepse destabilizimi është vështirë të ndodhë në rajonin e Kumanovës dhe Likovës”,raporton rel.

“Mendimi ynë është se e gjithë kjo është bërë me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga afera e përgjimeve”, ka deklaruar Angellov, i cili tani drejton partinë “Dinjiteti“, që tubon ish pjestarët e forcave maqedonase të sigurimit.

Burimin e informacionit zoti Angellov nuk e ka saktësuar.

Ditë më parë, për rastin kanë reaguar edhe partitë politike.

Bashkimi Demorkatik për Integrim në qeveri ka dënuar rastin duke thënë se ai dëmton intersat shqiptrare. Nga partia VMRO DPMNE e kryeministrit, Nikolla Gruevski, kanë thënë se bëhet fjalë për akt terrorist ndërsa LSDM-ja ngjashëm si ekspertët, e quan skenar për shpërqëndrimin e vëmendjes nga “afera e përgjimeve“.