Incident në plazh: Ilir Meta “detyron” gazetarin të zhvishet (VIDEO)

E publikuar: 12/08/2015 17:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një kronikë e pazakontë është shfaqur këtë pasdite në Abc News, televizioni që përgjatë sezonit veror transmeton direkt nga bregdeti i Jugut atmosferën e plazhit.

Lajmi se Ilir Meta gjendej me pushime në Jalë me Menduh Thaçin, duket se u eklipsua nga incidenti që i ndodhi gazetarit Eni Shehu gjatë intervistës me dy politikanët.

Kryetari i Parlamentit u xhirua me kamera gjatë ditës së tij të pushimit në Jalë, ku, së bashku kryetarin e PDSH-së së Maqedonisë, po notonin mes shkëmbinjëve. Pasi dolën nga deti, ata të dy me rrobabanjo shkëmbyen batuta me gazetarin, të cilin, Ilir Meta e ftoi të heqë kanatjeren dhe të futej në det për t’u freskuar. Eni u duk entuziast dhe nuk ia prishi kreut të Kuvendit. Pasi zhveshi kanatjeren dhe gjithë ç’kishte nëpër xhepa, u drejtua për tek shkalla mbi shkëmbinj.

Por, një incident i sikletshëm po aq sa edhe humoristik i ndodhi gazetarit, kur sapo u hodh në det për të notuar. Një dallgë e vogël por e rrezikshme, bëri që rrobabanjot e tij të uleshin deri tek gjunjët, duke dhuruar një moment të papërsëritshëm, që shkaktoi të qeshura tek “spektatorët” Meta e Thaçi. Shfaqja e të pasmeve në prani të dy politikanëve u shoqërua me batuta dhe si për të qetësuar sado pak situatën, Ilir Meta komentoi: “Nga transparenca s’ka asgjë të keqe”. /lapsi.al