Imet Rrahmani: Arrestimet e mjekëve, dëmtojnë imazhin e shëndetësisë

E publikuar: 25/05/2015 22:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punëtorët shëndetësorë në QKUK, përmes një proteste, edhe sot kanë shprehur pakënaqësi rreth raportimit në media për arrestimin e fundit të dy mjekëve të cilët ishin punëtorë të kësaj qendre.

Mirëpo, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, pranon se ky rast por edhe arrestimet e mëparshme të punëtorëve shëndetësorë e kanë dëmtuar këtë sektor dhe imazhin e tij në vend. Ai, në një intervistë për RTK-në, thotë se nuk do të lejojë të keqpërdoren barnat të cilat edhe ashtu janë në mungesë por as keqpërdorimi i detyrës.

Mantelbardhët edhe sot protestuan për një orë para klinikave ku punojnë, duke shprehur kështu pakënaqësinë e tyre rreth publikimit në media për arrestimin të dy mjekëve Kushtrim e Sebahate Gashi, që të dy punonjës në QKUK. Ata u arrestuan javën e kaluar nën dyshimin se punuan në shtëpinë e tyre pa licencë shëndetësore, dhe po ashtu keqpërdorën barna të listës primare të cilat janë të dedikuara për institucionet publike shëndetësore. Nuk është hera e parë që mjekët dalin në mbrojtje të kolegëve të tyre kur raportohet në media për skandale dhe keqpërdorime të ndryshme nën dyshimin se mund të jenë kryer.

Pavarësisht protestës së mjekëve, i pari i shëndetësisë në vend këtë rast dhe disa të tjera që kanë ndodhur kohët e fundit i cilëson si të rënda për shëndetësinë dhe imazhin e saj në vend.
Ai në një intervistë për RTK-në thotë se nuk do të lejojë të keqpërdoren barnat të cilat edhe ashtu janë në mungesë por as keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Por, ky nuk është rasti i fundit, ku është raportuar që mjekët kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare apo edhe dyshohen për shkelje e neglizhencë profesionale. Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, bëri të ditur se, me kërkesë të departamentit të krimeve ekonomike të Policisë, janë duke u kryer inspektime në gjithë vendin, nën dyshimin se shumë ordinanca private po punojnë në mënyrë jo ligjore.

Ministri Rrahmani tha se po përcjell me kujdes gjithë punën që po bëhet në institucionet publike shëndetësore ndërsa tha se do të punojë që keqpërdorimet të mos përsëriten. Ai kërkoi nga qytetarët që të raportojnë për të gjitha rastet ku dyshohet që stafi mjekësor kudo në Kosovë ka bërë shkelje, keqpërdorime apo edhe ka treguar sjellje jokorrekte në raport me pacientët.