Ilir Tafa në krye të jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Sarajevë

E publikuar: 22/06/2017 01:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I vlerësuar për punën dhe rolet e realizuara në Bosnjë e Kroaci, Ilir Tafa do të jetë në krye të jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove që organizohet në Kamerni Teatar 55 në Sarajevë, shkruan KultPlus.
Aktori i njohur Ilir Tafa, i cili vazhdon të na bëjë krenar me punën e tij në skenën ndërkombëtare, së fundmi është ngarkuar edhe me një përgjegjësi të madhe përsa i përket angazhimit të tij në teatër.

I vlerësuar për punën dhe rolet e realizuara në Bosnjë e Kroaci, Ilir Tafa do të jetë në krye të jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove që organizohet në Kamerni Teatar 55 në Sarajevë, ka konfirmuar drejtori i festivalit Emir Hadzihafizbegović.
Ky festival që do të mbahet në muajin tetor 2017, ka karakter garues në kuadër të së cilit ndahen shpërblimet “Zhan Marlot” për aktorin më të mirë të festivalit, shpërblimi për kostumin më të mirë, shpërblimi për skenografinë më të mirë si dhe shpërblimi “Jurislav Korenić” për shfaqjen më të mirë.
Kamerni teatar 55, u themelua në vitin 1955 në Sarajevë nga regjisori, producenti dhe teoricienti i njohur kroat Jurislav Korenić (themelues i Festivalit MESS), në kërkim të shprehjes së re teatrore dhe një profili të ri teatror, të ndryshëm nga ai që dominonte në skenat e Jugosllavisë së atëhershme.
Kamerni Teatar 55 është njëri nga teatrot më të vizituar në Bosnjë, ku dhjetëra mijëra shikues brenda vitit ndjekin shfaqjet e repertorit të tij. Teatri ka ansamblin e rregullt me rreth 20 aktorë, ndërsa shpesh në këtë teatër kanë luajtur si mysafirë edhe aktorët të njohur ndërkombëtar, në mesin e të cilëve edhe Ilir Tafa. Ky teatër është ndër teatrot e vetme në BeH që është pjesë e ETC (European Theater Convention).