Ilir Meta takon Slavko Simiqin e ‘Lista Srpska’

E publikuar: 12/10/2017 15:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë ditës së dytë të vizitës në Prishtinë, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta me krerët e partive parlamentare në Kosovë. Bëhet e ditur se Meta ka takuar Visar Ymerin e VV’së, Isa Mustafen e LDK’së, si dhe Përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiq.

“Gjatë këtyre takimeve u vu në dukje dhe u theksua nga Presidenti Meta rëndësia që mbart bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv i të gjitha forcave politike për ardhmërinë dhe perspektivën integruese evropiane të Kosovës”, thotë njoftimi i presidencës shqiptare.

Sipas njoftimit, në takimin me Liderin e Listës Serbe Slavko Simiq, Presidenti Meta shprehu konsideratën e lartë për rolin konstruktiv të Listës Serbe në konsolidimin e institucioneve të Kosovës si dhe të frymës së bashkëjetesës mes komuniteteve në Kosovë.

“Presidenti Meta gjithashtu vlerësoi kontributin e Listës Serbe për rrugën e integrimit evropian të shtetit të Kosovës”, thotë kumtesa.

“Në takimin me Vetëvendosjen Presidenti Meta i përgëzoi për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit dhe theksoi rendësin e jashtëzakonshme që ka roli i opozitës në demokraci për të rritur përgjegjësin dhe cilësinë e qeverisjes në vend dhe për të afruar një alternative më të mirë për të ardhmen. Presidenti Meta theksoi rolin e opozitës dhe të Vetëvendosjes në Kosovë për të kontribuar në konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës përmes bashkëpunimit dhe konsensusit edhe me mazhorancën për çështjet me madhore që kanë të bëjnë më te ardhmen evropiane të vendit”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Shqipërisë.

Në takimin me liderin e LDK-së ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie, “Meta shprehu vlerësimin për kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të LDK-së për gjithë këto dekada për pavarësinë e Kosovës, konsolidimin e demokracisë, dhe shprehu besimin se edhe pse një opozitë mjaft aktive, LDK me përvojën e saj do te kontribuojë për të bashkëpunuar me mazhorancën aktuale rreth çështjeve më madhore që lehtësojnë progresin në rrugën euroatlantike të Kosovës”, thotë njoftimi.