Ilir Meta anulon zgjedhjet në Shqipëri

E publikuar: 10/06/2019 10:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka nënshkruar zyrtarisht shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve lokale që ishin caktuar të mbahen më datën 30 qershor.

Duke cituar Kushtetutën e Shqipërisë, Meta tha se “presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve dhe për zhvillimin e referendumeve”.

“Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, për organet e pushtetit vendor si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë të saj, Kushtetuta përcakton datën e zgjedhjeve. Sipas Kushtetutës, pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet e organeve vendore nuk mund të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë”, tha Meta.

Presidenti tha se data e zgjedhjeve nuk mund të shndërrohet në ditë përçarëse, por ajo duhet të jetë ditë e bashkimit të qytetarëve ku vendosin përfaqësuesit e tyre me votë.

Ai, duke ju referuar bojkotimit të zgjedhjeve nga ana e opozitës dhe djegies së mandateve të tyre në Kuvend, shtoi se jeta politike parlamentare në Shqipërisë ka pësuar një krizë përfaqësimi.

“Ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm që mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Është rrezik për paqen në vend. Zhvillimi i zgjedhjeve pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës cenon disa parime kushtetuese”, tha Meta.

Shfuqizimi i dekretit nga ana e presidentit nënkupton shtyrjen e zgjedhjeve për një datë tjetër. Sipas tij, anulimi i zgjedhjeve është mjeti i vetëm emergjent për gjetjen e një zgjidhjeje dhe nxitje për dialog mes partive politike në vend.

Vendimi i presidentit vjen pasi vendi ndodhet në krizë të thellë politike.

Partia Socialiste, e cila udhëheq vendin pa koalicion, me shumicë të ulëseve në Parlament synon të shkojë e vetme në zgjedhje, ndërsa partitë opozitare dhe aleatët e tyre të djathtë kanë bojkotuar pjesëmarrjen dhe kanë thënë se do të pamundësojnë mbajtjen e tyre.