Ilir Deda shumë afër kalimit në LDK (?)

E publikuar: 23/09/2015 19:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ilir Deda kishte bërë bujë pasi që zgjodhi Lëvizjen Vetëvendosje për të vazhduar rrugëtimin e tij politik. Ish liberali i Partisë Fryma e Re (FER) kishte zgjedhur një entitet partiak goxha radikal për të përçuar mendimin politik, gjë që u konsiderua si hap i shpejtuar.
E ky përshpejtim i Dedës po del i gabuar, të paktën kjo po shihet nga raportet e tij të fundit me Lëvizjen Vetëvendosje ku haptas po i kundërshton politikat e dhunshme të këtij subjekti.

Fillimisht Deda befasoi opinionin me një deklaratë kundër paralajmërimit të Vetëvendosjes se Asociacioni e komunave me shumicë serbe do ta parandalojmë nëse është nevojshme edhe me gjakderdhje.

Por kulmi i pakënaqësisë Deda vs. Vetëvendosje u arrit në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, ku opozita e udhëhequr nga VV-ja sulmoi me vezë kryeministrin Isa Mustafa gjatë raportimit për marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel.

Deda në xhirimet filmike shihet duke debatuar ashpër me shefin e partisë, Visar Ymeri, derisa gjatë gjithë kohës ka qëndruar në fund të sallës së Kuvendit dhe i pakënaqur me ato që bënin bashkëpartiakët e tij.

Thyerja e Dedës me VV-në duket që është e pariparueshme, pasi që burime të Indeksonline thonë se tashmë çdo gjë ka marrë fund.

Burime të Indeksonline brenda LDK-së kanë konfirmuar se Deda i ka rinisur negociatat për t’iu bashkuar partisë së Isa Mustafa. Rinisja e negociatave nënkupton se ai edhe më parë ka qenë i interesuar për të qenë pjesë e LDK-së.

“Ilir Deda së shpejti pritet t’i bashkohet partisë sonë, sepse më ai nuk po sheh të ardhme në Vetëvendosje. LDK-ja është e hapur që Dedën ta merr në gjirin e saj, por jo vetëm atë, por secilin që dëshiron të jetë pjesë e ndryshimeve”, kanë thënë këto burime.

Indeksonline ka provuar të marr një qëndrim të Dedës, por ai nuk është përgjigjur në telefonata, ngjashëm sikur edhe ditëve të kaluar./telegrafi/