IKSHPK: Virusi akoma gjendet në mesin tonë, mbani distancën fizike dhe mbani maskat

E publikuar: 14/05/2020 12:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të mbajnë distancën fizike dhe mbajtjen e maskave.

IKSHPK ka theksuar se virusi gjendet ende në mesin tonë, prandaj qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, transmeton Telegrafi.

“Lani duart me kujdes 20-30 sekonda. Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm.  Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave nē vendet publike”, thuhet ne njoftimin e IKSHPK-së.

Më tej, IKSHPK ka bërë thirrje që institucionet e mbajtjes së rendit dhe inspektorët të jenë më të angazhuar gjatë ditëve në vijim.

“Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të COVID-19. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj. Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 919 raste me coronavirus, 671 prej të infektuarve janë shëruar ndërsa 29 persona kanë humbur jetën./Telegrafi/