IKSHPK: Këto janë pesë rregullat strikte për luftimin e Covid-19

E publikuar: 12/07/2020 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës nëpërmjet një ilustrimi të publikuar në Facebook ka treguar pesë rregullat bazë për mbrojtje nga Covid-19.

Rregulli i parë tregohet të jetë vendosja e maskës, mbajtja e distancës, pastrimi i shpeshtë i duarve, dezinfektimi i duarve dhe sipërfaqeve si dhe shmangia e prekjes së syve, hundës dhe gojës.

“Bashkë për shëndetin. #ruajeveten dhe të tjerët!”, thuhet në njoftim.

Aktualisht sistemi shëndetësor në vend po përballet me vështirësi për shkak të numrit të madh të të infektuarve.

Po sot, kryeministri Avdullah Hoti, paralajmëroi masa të reja më rigoroze, për parandalimin e përhapjes së Covid 19.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve deri të shtunën ka arritur në 4.715 nga 27.723 persona të dyshimtë dhe 101 viktima, njofton IKSHPK.

Më herët, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka njoftuar se në spitalet publike në Kosovë janë të shtrirë 301 pacientë të konfirmuar me COVID-19 pozitiv.

Numri më i madh i rasteve të reja pozitive është nga komuna e Prishtinës.