IKD: KGJK dhe OAK të anulojnë vendimet që kufizojnë punën në sistemin e drejtësisë

E publikuar: 10/01/2019 13:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti i Kosovës për Drejtësi përmes një njoftimi për media ka reaguar ndaj vendimeve të dy institucioneve në kuadër të sistemit të drejtësisë, përkatësisht vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kufizimin e qasjes së avokatëve në gjykata dhe vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës me bojkotimin e seancave gjyqësore, të cilat sipas IKD-së janë duke prodhuar dëme të mëdha në kurriz të sistemit të drejtësisë dhe sidomos në dëm të drejtave dhe lirive të qytetarëve që janë subjekt të procedurave gjyqësore, transmeton KosovaPress.

IKD si organizatë që monitoron sistematikisht sistemin gjyqësor dhe prokurorial, gjen se këto vendime janë duke prodhuar dëme të mëdha, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejtë në shkeljen e të drejtave të qytetarëve. Bazuar në të dhënat e monitorimit sistematik të IKD-së, rezulton se vetëm me 9 janar 2019, janë shtyrë 161 seanca gjyqësore në çështjet penale. Në të gjitha këto raste, më së shumti janë duke pësuar palët në procedurë, duke mos arritur të realizojnë të drejtat e tyre të garantuara me legjislacionin pozitiv. IKD shpreh shqetësim për këtë situatë të krijuar për shkak të qasjes së KGJK-së dhe OAK-së, të cilat kanë ndikuar që një numër i madh i rasteve të natyrës urgjente siç janë ato të paraburgimit të dështojnë më 9 janar 2019. Me këtë problem janë duke u ballafaquar gjykatësit dhe prokurorët edhe sot me datë 10 janar 2019 për shkak të natyrës urgjente q ë kanë këto raste, të cilat nuk mund të procedohen pa përfaqësimin e avokatëve.

IKD ka analizuar vendimet respektive të këtyre dy institucioneve dhe pasojat e krijuara si rezultat i kësaj situate. IKD vlerëson se KGJK ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe pa bazë kur ka nxjerrë vendim/rekomandim për ta rregulluar çështjen e qasjes së avokatëve në gjykata. Vendimi i KGJK-së për më tepër është selektiv, i pabazuar dhe pa arsyetuar si duhet, i cili ka prodhuar pasoja, duke shkaktuar dëme tek palët, duke zvarritur proceset gjyqësore.

IKD ri-kujton KGJK-në, se në bazë të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila praktikë sipas Kushtetutës dhe ligjit të aplikueshëm në Kosovë është e obligueshme për tu ndjekur dhe zbatuar nga gjykatat e Kosovës, barazia e palëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes gjatë procedurave penale është aspekt themelor për një proces të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm gjyqësor. Fatkeqësisht, vendimi i KGJK-së, duke i kufizuar të drejtën e qasjes vetëm avokatëve në ambientet e hapësirave të gjykatave në nivel vendi, ka cenuar rëndë këtë parim, duke i vënë ata në pozitë të pa barabartë me prokurorët e shtetit dhe palët e tjera në procedurë gjyqësore.

Rekomandimet për KGJK:

Vendimi lidhur me rregullin dhe disiplinën në gjykatat e Kosovës, duhet të bëhet përmes aktit nënligjor respektivisht rregullores së miratuar në KGJK. Rregullorja duhet të jetë e bazuar në ligj, duke respektuar dhe promovuar standarde që rrisin besimin e publikut dhe integritetin në sistemin gjyqësor të Kosovës, por që në të njejtën kohë i mbrojnë dhe i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjitha palët në procedurë gjyqësore.

Komunikimi në mes gjykatësve me prokurorë dhe avokatë duhet të jetë komunikim zyrtar, duke u bazuar ne legjislacioin në fuqi dhe praktikat e mira që promovojnë qasjen në drejtësi, dhe duke përjashtuar mundësitë e komunikimit ex parte në mes të gjykatësve me prokurorë apo gjykatësve me avokat mbrojtës apo palë të tjera.

KGJK përmes legjislacionit sekondar të përcaktoj rregullat e qasjes në gjykata, ku përfshihen hyrjet dhe daljet, identifikimin dhe regjistrimin e të gjitha palëve dhe personave që kërkojnë shërbime në gjykata, përfshirë kontrollin dhe monitorimin e zbatimit në praktikë të kësaj rregullative ligjore.

KGJK të krijoj mundësi për avokatët që të ushtrojnë profesionin e tyre në mënyrë të lirë dhe të pavarur në objektet e gjykatave, duke përfshirë inventarizimin e zyrave të avokatëve të përcaktuara dhe lejuara nga KGJK, në Pallatin e Drejtësisë dhe sigurim të zyrave në të githa gjykatat e Kosovës.

Rekomandimet për OAK:

OAK duhet të tërheq urgjentisht vendimin për ndalimin e përfaqësimit të avokatëve në të gjitha rastet, duke lejuar përfaqësimin në rastet e natyrës urgjente, siç kërkohet me ligj dhe në komunikim dhe koordinim më KGJK-në të gjejnë një zgjidhje për të mundësuar zhvillimin e procedurave gjyqësore në pajtim me ligjin e aplikueshëm.