IKD kërkon respektimin e ligjit: Të gjitha seancat gjyqësore të jenë të hapura

E publikuar: 10/08/2019 13:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të shtunën ka mbajtur të mbajnë konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin: “Mbyllja e kundërligjshme dhe arbitrare e seancave gjyqësore për publikun në çështjet penale: Analizë e legjislacionit dhe praktikës së GjEDNj rreth natyrës publike të seancave gjyqësore dhe praktikës së mbrapshtë të krijuar nga Sistemi i Drejtësisë në Kosovë”.

Betim Musliu hulumtues i lartë në IKD, tha se gjatë procesit të monitorimit sistematik të seancave gjyqësore në fushën penale, IKD ka evidentuar raste të mbylljes së kundërligjshme dhe arbitrare të seancave të caktuara gjyqësore, informimi për të cilat është i rëndësishëm për publikun, mediat dhe shoqërinë civile. “Duhet theksuar se në përgjithësi të gjitha seancat gjyqësore në fushën penale janë të hapura për publikun dhe median. Megjithatë, ne kemi evidentuar në monitorim, disa raste ku gjykatësit kanë mbyllur seancat gjyqësore në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare, si dhe kanë ndërtuar praktika të këqija të kundërligjshme përmes kërkesave që ju kanë bërë monitoruesve dhe gazetarëve”.

Gzim Shala, hulumtues në IKD, tha se në aspektin legjislativ Kosova ka arritur të përafrojë kornizën ligjore lidhur me transparencën dhe publicitetin e punës së gjykatave, në pajtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë apo në të cilat Kosova aspiron për tu anëtarësuar në të ardhmen, si ai i shteteve të Bashkimit Europian. “Në këtë drejtim, praktika e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), jurisprudenca e së cilës në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës është e obligueshme, ka vendosur standarde në këtë fushë.

Shala tha se dispozitat ligjore si ato vendore dhe ndërkombëtare dhe po ashtu edhe praktika e GjEDNj i japin rëndësi jetike proceseve gjyqësore të hapura për publikun dhe palët e interesuara, për të siguruar një proces gjyqësor të drejtë, që qëllim final ka fitimin e besimit të publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave, gjykatësit e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës rezulton se ende nuk janë të përgatitur dhe nuk kuptojnë obligimet dhe përgjegjësitë e tyre në këtë fushë. “Kjo për arsye se një numër i caktuar i seancave të natyrës penale në sistemin gjyqësor që IKD i monitoron sistematikisht, mbyllen për publikun nga ana e gjykatësve, dhe në raste të tilla, publiku, media dhe shoqëria civile nuk marrin vendimin për mbylljen seancave gjyqësore, përderisa jo rrallë arsyetimi në vendim është në kundërshtim me parimet e përcaktuara në Kushtetutë dhe KPPK. Sa i përket seancave dëgjimore për shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurisë, disa prej gjykatave kanë krijuar një praktikë të kundërligjshme, duke i cilësuar këto seanca si parimisht të mbyllura, dhe duke krijuar laramani në trajtimin e kësaj çështje brenda gjykatave të Republikës së Kosovës”.

Betim Musliu ka elaboruar disa prej rasteve të analizuara në raportin e IKD-së, në të cilat gjykatësit kanë vendosur në mënyrë të të kundërligjshme dhe arbitrare. “Monitoruesit e IKD-së kanë evidentuar raste kur gjykatësit kanë përjashtuar publikun dhe median pa marr vendim të shkruar të arsyetuar mirë, pastaj raste të aprovimit të kërkesave të pandehurve pa bazë ligjore dhe pa nxjerr vendim, duke kërkuar nga mediat që në raste të caktuar të raportohet me iniciale, raste të vendimeve paradoksale të gjykatësve, ku lejojnë monitorimin dhe raportimin prej seancës por nuk lejojnë xhirimin me kamera dhe raste të tjera të vendimeve arbitrare”.

Për të gjitha këto raste të mbylljes së kundërligjshme dhe arbitrare të seancave gjyqësore, sipas hulumtueses Justina Frrokaj, nuk ka pasur një reagim të duhur institucional nga mekanizmat përgjegjës në sistemin gjyqësor. “IKD vazhdimisht shpreh shqetësimin në lidhje me mungesën e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe në këtë drejtim, në këto raste të evidentuara në procesin e monitorimit tonë, nuk ka pasur asnjë lëvizje në drejtim të mbajtjes përgjegjës të këtyre gjykatësve që mbyllin seancat në mënyrë të kundërligjshme. Kjo praktikë, sikurse në këto raste të analizuara nga IKD, duhet të shërbejë për të gjithë gjykatësit që mos të veprojnë në këtë mënyrë, duke rrezikuar një ndër parimet bazë të një gjykimi të drejtë që është parimi i publicitetit”.

Frrokaj tha se IKD kërkon që mekanizmi i llogaridhënies përmes Kryetarëve të Gjykatave dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës të jetë efikas në adresimin e këtyre rasteve në mënyrë që të sigurohen se po zbatohet një ndër parimet bazë të një gjykimi të drejtë që është publiciteti. Frrokaj ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet kryesore të raportit, të cilat janë:

Konkluzione
– Parimisht, secila seancë gjyqësore është e hapur për publikun, mediat dhe shoqërinë civile. Rastet kur të njëjtat mbyllen janë raste përjashtuese, rrethanat për të cilat raste janë të përmendura taksativisht në KPPRK.

– Për rrethanat e përmendura në KPPRK për të cilat mund të mbyllet gjykimi për publikun, mediat dhe shoqërinë civile, nuk është e mjaftueshme që në aktvendimet e gjykatave vetëm të citohet në mënyrë “bllanko” ajo rrethanë, por ajo rrethanë duhet të arsyetohet përmes provave në mënyrë të thukët, në kuptim që përmes një aktvendimi të tillë të krijohet besimi edhe tek vetë publiku se mbyllja e një seance të caktuar është një veprim ligjor dhe i drejtë.

– Përjashtimi i publikut, mediave dhe shoqërisë civile pa asnjë vendim të shkruar, më së paku paraqet arbitrarizëm.

– Në bazë të KPPRK-së, parimisht, seancat dëgjimore për shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurisë janë të hapura. Për këtë arsye, praktika laramane e krijuar brenda sistemit gjyqësor, ku në disa gjykata janë publike ndërsa në disa gjykata të mbyllura, është e papranueshme. Lidhur me këtë laramani të krijuar, edhe KGJK ka obligim që të disiplinojë gjyqtarët në kuptim të zbatimit të obligimeve ligjore.

– Përkundër faktit se është gjyqtari që nxjerrë vendim nëse një seancë do të jetë publike apo e mbyllur, në kuptim të administrimit të mirë të drejtësisë kontribut duhet të japin edhe prokurorët. Në këtë drejtim, të njëjtit duhet të angazhohen që në rastet kur një kërkesë për mbyllje të një seance nuk ka bazë ligjore, prokurorët duhet ta kundërshtojnë të njëjtën. Po ashtu, në rastet kur seancat mbyllen në kundërshtim me ligjit, prokurorët duhet të atakojnë këtë vendim me ankesë në Gjykatën e Apelit, me rastin e parashtrimit të ankesës ndaj aktgjykimit përfundimtar.

– Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme kanë për detyrim që të vendosin standarde ligjore dhe të drejta në trajtimin e lëndëve. Nisur nga ky detyrim, edhe sa i përket mbylljes së seancave publike në kundërshtim me ligjin, Gjykata e Apelit duhet të jetë aktive në këtë fushë dhe të vendosë standarde të drejta dhe ligjore, në atë mënyrë që të filtrojë dhe të mos lejojë që aktgjykime të nxjerra jashtë syve të publikut në kundërshtim me ligjin të bëhen të plotëfuqishme.

– Publiciteti i seancave gjyqësore duhet të kuptohet në atë formë që në asnjë rrethanë nuk e dëmton administrimin e drejtësisë. Në të kundërtën, siç e përcakton edhe praktika e GjEDNj, ajo i mbron palët ndërgjygjëse kundër administrimit të drejtësisë në mënyrë të fshehur dhe është një nga mënyrat me anë të së cilës mbahet besimi në gjykata.

– Gjyqtarët duhet të jenë të vetëdijshëm se publiciteti i seancave gjyqësore, sipas KEDNj, është një nga elementet që formëson të drejtën për një proces të rregullt.

– Gjyqtarët duhet të jenë të vetëdijshëm se në bazë të nenit 53 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, aktgjykimet e GjEDNj janë të obligueshme për tu zbatuar në secilin rast. Për këtë arsye, është e domosdoshme që të njëjtit duhet ti referohen praktikës së kësaj gjykate dhe të aplikojnë standardet që e njëjta ka vendosur, me rastin e shqyrtimit të një kërkese për mbylljen e seancës.

– Transparenca e sistemit të drejtësisë nuk është një fakt i mirëqenë, i cili mund të proklamohet në mënyrë të përgjithësuar. Për vlerësimin e transparencës, ka matës shumë specifik. Sa i përket sistemit gjyqësor, mos transparenca më e madhe paraqitet në rastet kur publiku përjashtohet nga përcjellja e seancave gjyqësore të cilat sipas ligjit janë të hapura, dhe për të cilat publiku ka interes që të informohet.

Rekomandime
– Gjyqtarët të rishqyrtojë vendimet e tyre për mbylljen e seancave.

– Gjyqtarët ta trajnohen për të kuptuar drejtë qëllimin për mbajtjen publike të seancave gjyqësore.

– Vendimet për mbylljen e seancave të jenë të arsyetuara konform kërkesave ligjore dhe standardeve të përcaktuara nga GjEDNj dhe për këtë fushë ata duhet të trajnohen vazhdimisht. Pas zhvillimit të trajnimeve, KGJK duhet të monitorojë zbatimin e praktikës së GjEDNj-së dhe gjyqtarët që nuk shkojnë në këtë linjë, duhet t’i thërrasë në përgjegjësi disiplinore.

– Gjyqtarët në asnjë rast të mos përjashtojnë publikun, mediat dhe shoqërinë civile nga seancat, pa marrë një aktvendim të shkruar dhe të arsyetuar mirë.

– Parimisht, të gjitha seancat dëgjimore për shqyrtimit e kërkesave për caktimin e masave të sigurisë të jenë të hapura për publikun.

– Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme të përcaktojnë praktika të drejta gjyqësore lidhur me hapjen dhe mbylljen e seancave për publikun, mediat dhe shoqërinë civile.

– Prokurorët të kundërshtojnë kërkesat e pabazuara për mbylljen e seancave gjyqësore. Në rastin kur konsiderojnë se vendimet për mbylljen e seancave kanë qenë të kundërligjshme, të njëjtit t’i atakojnë aktgjykimet në Gjykatën e Apelit sa i përket kësaj pjese.

– KGJK të reagojë konform mandatit të saj për të disiplinuar gjyqtarët që të njëjtit t’i përmbahen obligimeve ligjore në rastin kur vendosin lidhur me hapjen dhe mbylljen e seancave për publikun, mediat dhe shoqërinë civile.

– KGJK të trajtojë laramaninë e krijuar lidhur me hapjen për publikun të seancave dëgjimore për shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurisë.

– Në drejtim të adresimit sa mirë të kësaj teme, kontribut të jap edhe Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

– Akterët e sistemit të drejtësisë të zbatojnë premtimet e tyre të vazhdueshme për transparencë dhe llogaridhënie të sistemit të drejtësisë përballë publikut, mediave dhe shoqërisë civile.

Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin e publikuar nga IKD si dhe foto nga konferenca e mbajtur me rastin e prezantimit të këtij raporti.