Idajet Elezi: Do ta vras djalin tim nëse është terrorist

E publikuar: 25/03/2015 19:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Djali im është një djalë shumë i mirë, unë vë dorën në zjarr për të. Por në qoftë se ai është një terrorist, do ta vras”.
Kështu ka thënë shqiptari Idajet Elezi, babai i Elvis Elezit, i cili u arrestua sot nën akuzën e rekrutimit të xhihadistëve për ISIS. I riu jetonte me babanë dhe me nënën e tij Liliana në një apartament të vogël në Torinese.

“Ne jemi myslimanë, por unë kërkoj ndihmë, sepse burri im ka qenë i papunë për pesë muaj. Italisë nuk mund t’i themi më shumë se sa faleminderit”, u shpreh mamaja për Huffingtonpost.it, transmeton Shekulli.

Idajet Elezi thotë se ka kohë që nuk flet me vëllanë e tij Albanin, i arrestuar në Tiranë nën akuzën se është një nga organizatorët e rekrutimit. Me ta u arrestua edhe një shtetas italian 20-vjeçar me origjinë marokene që banonte në krahinën e Torinos.

“Akuzat kundër djalit tim janë absurde. Ne kurrë nuk kemi parë ndonjë gjë të çuditshme, madje ai as që ka qëndruar shumë në kompjuter. Unë jam i sigurt se ai nuk ka të bëjë me këtë histori. Ne jemi një familje e varfër, por jemi të ndershëm”, shton babai.

Elvisi ndoqi një shkollë teknike në Cirie, në Torino, ku jeton familja e tij.

“Unë jam i tronditur”, thotë drejtoresha, Maria Costantino, “dhe më shkojnë mornica në trup”.

“I riu frekuentonte klasën e katër në kursin e elektronikës dhe ai ishte sistemuar në mënyrë të përkryer brenda klasës”, kujton mësuesja, e cila thotë se Elvisi nuk i ndiqte klasat fetare.

“Elvisi ka qenë gjithmonë një djalosh i gatshëm dhe kurrë nuk na dha ndonjë problem nga pikëpamja e disiplinës, unë nuk pres që ai mund të ketë simpati për ISIS-in, ai asnjëherë nuk na dha ndonjë sinjal”, thotë dekani.

Sipas hetuesve, nipi (Elvisi) ishte një rekrutues që e kryente funksionin përmes internetit, ndërsa xhaxhai i tij, Alban Elezi, merrej me futjen e luftëtarëve në skenarin e luftës në Siri, duke i kontaktuar ata drejtpërdrejt. Ndërkohë, 20-vjeçari me origjinë italiano-marokene, ishte në krye të propagandës që bëhej për rekrutimin në Itali.