Ibrahimovic: Man Unitedi është në krizë për shkak të Fergusonit

E publikuar: 19/03/2019 12:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zlatan Ibrahimovic beson se Manchester Unitedi duhet ta harrojë suksesin e ish-trajnerit legjendar, Sir Alex Fergusonit, sepse suksesi i këtij të fundit është duke e mbajtur prapa klubin tani.

Fergusoni u pensionua në vitin 2013, pasi i fitoi 13 tituj të Premierligës, pesë tituj të FA Cup dhe dy tituj të Ligës së Kampionëve gjatë periudhës 26-vjeçare me klubin anglez. Që nga atëherë, Manchester Unitedi nuk ka arritur më suksese të këtij niveli, transmeton Gazeta Express.

Tre trajnerë të ndryshëm, David Moyes, Louis van Gaal dhe Jose Mourinho, erdhën dhe u shkarkuar nga klubi pasi dështuan të arrijnë suksese të mjaftueshme për ta merituar postin e trajnerit të “Djajve të kuq”.

Manchester Unitedi ka dështuar ta fitojë titullin në pesë sezonet që nga largimi i Fergusonit, duke përfunduar jashtë top katërshes për tri herë gjatë kësaj kohe. Trajneri në detyrë, Ole Gunnar Solskjaer, po tenton ta përmirësojë situatën në klub.

“Gjithçka që ndodh në klub gjykohet nga epoka e Fergusonit. Ata thonë se nëse Fergusoni do të kishte qenë këtu, kjo gjë nuk do të kishte ndodhur. Fergusoni nuk do ta bënte kështu. Gjithçka është për Fergusonin”, ka thënë Ibrahimovic.

“Po të isha unë, do të thosha se nuk e kemi më Fergusonin, Unë kam ardhur këtu dhe dua ta bëjë historinë time, dua ta shkruaj historinë time. Nuk dua të dëgjoj për atë që ka ndodhur më parë. Dua të jetoj në të tashmen”.

“Fergusoni e ka vendin e vet në historinë e këtij klubi, por tani klubi po vazhdon pa të. Manchester Unitedi duhet ta gjejë identitetin e vet dhe kjo është e vështirë”. /Gazeta Express/