I premtoi fejesën, por shqiptari e shfrytëzoi për prostitucion

E publikuar: 25/05/2015 21:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një 41-vjeçar u ekstradua sot nga Cyrihu i Zvicrës përmes Zyrës Qendrore Interpol Tirana, drejt vendit tonë.

Fatos Sakolli, 41 vjeç, lindur në Berat, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për shfrytëzim prostitucioni të një vajze, të cilën e kishte mashtruar duke i thënë se do të fejohej me të.

Sakolli kishte mashtruar shtetasen K.K., duke e çuar atë në Belgjikë, me premtimin se do të fejoheshin, por më pas e kishte detyruar atë të ushtronte prostitucion kundër vullnetit të saj, transmeton shekulli.

Gjykata Rrethit Gjyqësor Berat, me Vendim nr.91, datë 29.06.2005, e ka dënuar këtë person me 10 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, parashikuar nga Kodi Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa , Gjykata Apelit Vlorë, me vendimin nr. 310, datë 30.09.2005, e ka dënuar përfundimisht me 15 vjet burg.

Arrestimi i shtetasit në Zvicër, u bë i mundur si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Bernën. Në Aeroportin e Rinasit ky person iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.