I pandalshmi LeBron James e ndal edhe Toronton, Spurs me fitoren e pesë rresht

E publikuar: 22/03/2018 10:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Cleveland Cavaliers i ka dëshmuar kredencialet për titull këtë sezon duke mposhtur Toronton në Quicken Loans Arena me rezultat të ngushtë 132-129.

Clevelandi pati vështirësi në këtë duel duke pranuar plot 79 pikë, teksa në çerekun e tretë ishte 15 pikë në disavantazh.

Megjithatë, një mbrojtje e fortë në fund e inspiruar nga LeBron James krahas ekzekutimit perfekt bëri që Cavs të dalin fitimtarë në një dramë në fund të takimit.

Më i miri ishte pa dyshim LeBron James me 35 pikë dhe 17 asistime, kurse Kevin Love shtoi 23 pikë e 12 kërcime, ndërkaq George Hill zhvilloi ndeshjen më të mirë në fanellën e Cavs me 22 pikë të realizuar.

Te Toronto ishte Lowry ai që realizoi 24 pikë dhe DeRozan 21 pikë, por këto nuk mjaftuan për triumf të kanadezëve.

San Antonio Spurs vazhdoi me formën e lartë në shtëpi në një përpjekje për të siguruar vend në playoff pasi në Perëndim situata vazhdon të jetë ngushtë.

Teksanët mposhtën Washingtonin me rezultat 98-90, në një takim ku Spurs patën epërsinë më të lartë 22 pikë, por nuk rrezikuan ndeshjen në asnjë moment.

Lideri i padiskutueshëm ishte sërish LaMarcus Aldridge me 27 pikë e 9 kërcime, teksa ai u ndihmua nga Kyle Anderson me 16 pikë të shënuar.

Ko ishte fitorja e pestë rresht për Spursat që po tentojnë të mos mungojnë në playoff, pasi kjo për herë të fundit ka ndodhur në vitin 1997.

Cleveland Cavaliers gjendet në pozitën e tretë në Lindje dhe ka dy fitore më shumë se Philadelphia dhe Indiana, teksa San Antonio është një fitore larg vendit të katërt në Perëndim që mbahet nga Oklahoma City Thunder, por aty pranë janë edhe Minnesota dhe Neë Orleans, kurse për playoff po luftojnë disa skuadra. /Telegrafi/