I nominuari për ambasador të SHBA-së në Gjermani mendon se sulmi ndaj Serbisë më 1999 ishte gabim

E publikuar: 05/08/2020 07:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I nominuari për ambasador të SHBA-së në Gjermani mendon se sulmi ndaj Serbisë më 1999 ishte gabim
Në një intervistë më 2019, i nominuari për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani, Douglas Macgregor, kishte kritikuar ndërhyrjen e SHBA-së në Kosovë në vitin 1999.

“Ndërhymë kundër serbëve ortodoksë, serbëve të krishterë ortodoksë në Kosovë dhe vumë një mafie myslimane të drogës në krye të vendit dhe e quajtëm sukses për demokracinë”, kishte thënë ai gjatë intervistës. “Këta njerëz nuk kanë qenë kurrë miqtë tanë. Janë armiq të pashërueshëm. E kam fjalën për islamistët sunitë”.

Pos deklaratave në favor të Serbisë, edhe pse si ushtarak kishte marrë pjesë në përgatitjen e fushatës bombarduese të NATO-s në atë kohë, MacGragorit i është publikuar nga CNN-i edhe një seri deklaratash raciste që kishte bërë kur kishte mbajtur anën e Rusisë në konfliktin e Ukrainës, raporton “illyriapress”.

Departamenti i Shtetit, që zakonisht është përgjegjës për ambasadorët, nuk ka komentuar për emërimin e ri dhe i ka thënë CNN-it që të komunikojë drejtpërdrejt me Shtëpinë e Bardhë.

Nëse emërimi i tij miratohet nga Senati Amerikan ai do të shënojë një pikë tjetër të ulët në marrëdhëniet amerikano-gjermane që janë përkeqësuar gjatë mandatit të presidentit Donald Trump.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, ka thënë për CNN me e-mail se Mcgregor ishte mëse i kualifikuar për punën e ambasadorit duke cituar njohjen e historisë dhe gjuhës gjermane të mësuar nga koha kur ka shërbyer në Gjermaninë Perëndimore.

MacGregor do të zëvendësojë Richard Grenellin në pozitën e ambasadorit në Gjermani.