I liruari nga akuzat në rastin “Drenica” kërkon mbi 90 mijë euro kompensim nga KGJK’ja

E publikuar: 18/03/2019 17:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Avni Zabeli, i liruar nga rasti “Drenica” kërkon kompensim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) me vlerë  90 mijë euro.

Në seancën e fundit, përfaqësuesi ligjor Gani Rexha, ka saktësuar padinë për këtë rast, ku kërkon 43.265 euro për dëmin jo material, ndërsa për dëmin material 47.381 euro. Në këtë shumë përfshihen shpenzimet e avokatit, pagesa e ekspertëve, humbja e pagave gjatë kohës së paraburgimit dhe vizitat familjare gjatë kohës së paraburgimit.

Besim Mustafa, përfaqësuesi i palës së paditur ka deklaruar se pajtohet me bazën juridike të kërkesëpadisë dhe ekspertizën e psikiatrisë nga Shpend Haxhibeqiri të merr pjesërisht të besueshme, ndërsa për shpenzimet e tjera të merret tërësisht si e besuar ekspertiza e ekspertit financiar, Dibran Jashari.

Sa i përket kompensimit të pagës që kishte humbur Zabeli, përfaqësuesi i të paditurës e ka kundërshtuar si ti pa bazë, pasi që kompensimin e pagës duhet ta kërkojw nga organet e policisë ku edhe ka qenë edhe i punësuar.

“Meqenëse organet e Policisë së Kosovës e kanë kthyer të njëjtin në punë, nënkupton se e gëzon dhe të drejtat për kompensimin e pagës së humbur nga ky organ”, ka thënë ai.

Ndërsa Zabeli ka deklaruar se i janë shkelur të drejtat themelore që i garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventat Ndërkombëtare.

Zabeli ishte mbajtur në arrest shtëpiak me paraburgim me 509 ditë, dhe ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Mitrovicë e më pas edhe nga ajo e Apelit sepse ishte akuzuar edhe për krime lufte, shkruan betimiperdrejtesi, transmeton Gazeta Express.