I gjithë stafi i kafenesë së njohur në Prishtinë rezulton pozitiv me COVID-19

E publikuar: 16/06/2020 18:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 gjithë stafi i një restoranti (të njohur për redaksinë) në Prishtinë është infektuar me koronavirus.

Në fakt bëhet fjalë për një prej vendeve më të frekuentuara të qytetit që ndodhet në ‘Rrugën B’.

Burime të Gazetës Metro kanë konfirmuar se stafi i këtij restoranti është diagnostifikuar me Covid-19 ditëve të fundit.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë një konfirmim, mirëpo ende po pret për një përgjigje.

Metro e di emrin e kafiterisë e cila ndodhet në rrugën B dhe sot po ashtu ata nuk e kanë ndalur punën, po ashtu emri do të bëhet pas pak publike edhe në portalin tonë pas konfirmimit edhe zyrtar nga MSH.

Ndërkaq, vetëm mbrëmë në Prishtinë u shënuan 46 raste me koronavirus, që vijnë nga lagje të ndryshme të kryeqytetit.

Kjo u konfirmua edhe nga Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi.

“Kemi pasur 12 lagje në Prishtinës të prekura nga COVID-19, ndërsa sonte u shtua edhe Hajvalia.

Pra kemi lagjet Ulpiana, Dardania, Arbëria, Kodra e Diellit, Kolovica, Sofali, Mati 1, Emshir, Kodra e Trimave, Përroi i njelmët, Vreshta dhe Parku i Qytetit”, ka thënë ai.

Kujtojmë se kafetë dhe restorantet në Prishtinë por edhe qytete të tjera, kanë qenë shumë të frekuentuara pas lirimit të masave.

Ndryshe, nga data 8 shkurt deri më 15 qershor në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 18.915 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.615 raste, me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.