I arrestuari që dyshohet se dha jashtëligjshëm lejen e ndërtimit, është kryetari i degës së LDK-së në Fushë Kosovë

E publikuar: 11/04/2019 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka arrestuar dy zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës të përfshirë në dhënien e një leje të dyshimtë për një objekt banesor dhe një pronar të një kompanie ndërtimore që u pajis me këtë leje në mënyrë të dyshimtë.

Lajmi.net ka mësuar se bëhet fjalë për drejtorin për Planifikim Urban, Abdullah Prebreza i cili njëkohësisht është edhe kryetar i degës së LDK-së në Fushë Kosovë.

“Të dyshuarit (A.P.) dhe (A.S.) në cilësinë e personave zyrtar duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tyre zyrtare kanë lëshuar lejen ndërtimore për investitorin (1), për ndërtimin e objektit shumë banesorë me afarizëm në Rr. ”Nënë Tereza”– Fushë Kosovë si dhe lejen ndërtimore për investitorin tjetër (2), duke mos i përfillur procedurat e parapara sipas Ligjit të ndërtimit dhe në kundërshtim me Udhëzimet Administrative”, thuhet në sqarimin e Policisë.

Drejtori dhe arkitektja me veprimet e tyre dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar” nga neni 422, ndërsa i dyshuari me iniciale (M.V.) dyshohet se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga neni 368, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit kompetent dërgohen në ndalim për 48 orë për procedura të mëtejme.