I akuzuari pranon se tentoi ta vriste gjinekologun, mohon se kishte cak bashkëshorten dhe vajzën e tij

E publikuar: 10/05/2018 23:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I akuzuari për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, Faton Fetiu, ka deklaruar se e pranon se ka tentuar ta vras gjinekologun Premtim Gojani, mirëpo ka mohuar se një gjë të tillë ka dashur ta bëjë edhe ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Lidhur me ngjarjen që kishte ndodhur më 13 shkurt të këtij viti, në lagjen “Marigona”, që ndodhet në periferi të kryeqytetit, të enjten është mbajtur seanca fillestare, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai ka deklaruar se e ndien veten fajtor sa i përket Premtim Gojanit, dhe se e ka pranuar që nga fillimi fajin, mirëpo sipas tij, nuk ka dashur të lëndojë Afërdita Gojanin dhe Donika Gojanin, ashtu si përshkruhet në dispozitiv të aktakuzës.

“Pasi nuk më punoj elektroshoku atëherë e kam nxjerr armën. Është e vërtetë që vajza i bjen përsipër, po kam pas kujdes me rujt, më ka lut mos ma vrit babën, i kam thënë që nuk t’pranohet lutja. 20 vjet kam prit me bisedu me të”, deklaroi i akuzuari, në sallën e gjykimit.

Ai tutje tha se herën e parë i ka bllokuar arma, dhe e ka gishtin e lënduar se ka provuar për ta repetuar.

“Më ka ra një plumb në tokë, po u aktivizu alltia, tani nihere e kam goditur në ballë, në kokë”, vazhdoi duke thënë Fetiu.

Ai deklaroi se ka pasur shumë stres nga familja Gojani dhe u është nënshtruar shumë operimeve si pasojë e stresit.

Kurse, avokati i tij, Betim Shala, deklaroi se i pandehuri veprimin e vet të tentimit të vrasjes ndaj Premtim Gojanit e ka pranuar, mirëpo tentim nuk ka pasur ndaj bashkëshortes së Gojanit.

“Afërdita nuk ka qenë as e rrezikuar e as e gjuajtur”, deklaroi Shala.

Andaj, në këto rrethana Fetiu është deklaruar i pafajshëm për vrasje të rëndë në tentativë, kurse ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Arianit Koci, ka deklaruar se familja Gojani është e traumatizuar dhe të gjithë kanë pasoja të rënda psikike nga ky rast.

Ai deklaroi se i dëmtuari Premtim Gojani, u është nënshtruar operacioneve të rënda që ia kanë rënduar shëndetin dukshëm.

Tutje, Koci deklaroi se pala e dëmtuar do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike.

Të akuzuarit Fetiu, gjykatësja e vetme e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, deklaroi se do t’i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 shkurt 2018, rreth orës 07:38, në rrugën “Montana” të lagjes Marigona, në Komunën e Graçanicës, i pandehuri Faton Fetiu, me dashje, nga hakmarrja e paskrupullt ka tentuar t’i privojë nga jeta Premtim e Afërdita Gojanin.

Tutje, aktakuza thotë se me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e një personi tjetër, Donika Gojanit.

Sipas, aktakuzës e gjithë kjo për shkak të një borxhi të pretenduar nga i pandehuri, që gjoja ia kishte pasur tani i ndjeri Nazmi Gojani, babai i Premtim Gojanit.

Akti akuzues, thotë se derisa Premtim Gojani, së bashku me vajzën e tij, Donika Gojani, ishin duke dalur nga shtëpia për të shkuar në punë, para tyre i pandehuri Faton Fetiu ka dal dhe nga xhepi ka nxjerrë një elektroshok për ta sulmuar Premtim Gojanin, por pastaj në mes të tyre ka ndërhyrë vajza e Gojanit për ta mbrojtur babanë e saj.

Tutje, sipas aktit akuzues, i pandehuri ka nxjerrë revolen dhe ka shtënë në drejtim të Premtim Gojanit, të cilin e ka qëlluar në trup në anën e djathtë në brinjë, i njëjti ishte rrëzuar në tokë dhe vajza e tij Donika Gojani, për ta mbrojtur është shtrirë mbi trupin e tij dhe e ka përgjëruar të pandehurin që të mos qëllojë me armë.

Më pas, thuhet se ka dal nga dera e shtëpisë bashkëshortja e të dëmtuarit, Afërdita Gojani, dhe ka thënë “Ndal, çka bëre o Faton”, kurse i pandehuri i është drejtuar duke i thënë “a ju kam thënë se kam me ju mbyt të gjithëve” dhe më pas ka shkrepur revolen dy herë në drejtim të Afërdita Gojanit, por nuk e ka qëlluar, e ka vazhduar duke u afruar te Premtim Gojani, e duke i thënë a je hala gjallë e duke e sharë, e më pas e ka goditur të njëjtin në anën e majtë nën sqetull afër zemrës, më pas në kokë.

Aktakuza, gjithashtu thotë se derisa e dëmtuara Donika Gojani, ka qenë e shtrirë mbi trupin e të dëmtuarit për ta mbrojtur, të njëjtën me predhën e fishekut të armës, i pandehuri e ka qëlluar në shpinën e dorës së majtë.

Aktakuza, tutje thotë se Premtim Gojanit i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, kurse vajzës së tij lëndime të lehta.

Sipas aktakuzës, Fetiu ka mbajtur në pronësi një granatë dore, një detonator të granatës, një pistoletë me mbishkrimin “Berreta”, një elektroshok, si dhe gjashtë gëzhoja fisheku./betimiperdrejtesi.com