I akuzuari flet për natën kritike kur u vra gjilanasi

E publikuar: 18/09/2018 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Feriz Hoti, i akuzuar për vrasjen e gjilanasit Hamdi Jusufi, ka dhënë sot mbrojtjen e tij në Gjykatën e Gjakovës.
Rreth natës kritike, të 17 majit 2017, kur është vrarë tashmë i ndjeri Hamdi Jusufi, i akuzuari tha se atë natë e ka mbyllur dyqanin dhe rreth orës 23:00 ka shkuar në shtëpi për të fjetur.

“Të nesërmen, kur e kam hapur dyqanin, vëllai Ramë Hoti, më ka treguar rreth ngjarjes së ndodhur”, tha i akuzuari gjatë mbrojtjes së tij.

Tutje, ai tregoi se Policia e ka arrestuar më 15 qershor 2017, në ora 6:00 të mëngjesit, do të thotë një muaj pas rastit.

I akuzuari tha se gjatë bastisjes së shtëpisë Policia nuk ka gjetur asnjë armë apo diçka tjetër të rrezikshme.

“Atë natë Policia më ka arrestuar mua bashkë me dy vëllezërit e mi, Ramë dhe Ismet Hoti, si dhe dy djemtë e vëllait Ismetit”, tha ai.

Më 5 dhjetor të vitit 2017, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria pretendon se Hoti këto vepra i ka kryer natën e 17 majit 2017 në Ratkoc të Rahovecit, kur ka qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti, pasi dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera, që po tentonin të thyenin derën e marketit “RamaF”, për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe më armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kërkon të ndalen duke i sharë e më pas kur ata vazhdojnë të ikin, ai fillon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK-47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

Në të shtënën e fundit e qëllon tani të ndjerin Hamdi, në pjesën e kokës, i cili nga plaga e marrë vdes në vendin e ngjarjes, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu vazhdimin e gjykimit me fjalën përfundimtare e caktoi për më

 24 shtator. /kallxo.com