Hyseni: Qe 11 muaj asnjë pjesëmarrës i Kosovës në luftëra të huaja

E publikuar: 23/08/2016 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni, në vazhdën e takimeve nëpër rajonet e Kosovës ka zhvilluar sot në Gjakovë një takim me anëtarët e forumeve lokale të sigurisë së këtij rajoni, ku u diskutua për “Trafikimin me qenie njerëzore, përdorimi i drogave dhe parandalimi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që shpien në terrorizëm”. Gjatë takimit Ministri Hyseni theksoi se 11 muaj asnjë qytetar i Kosovës nuk iu është bashkuar luftërave të huaja – pra, grupeve terroriste ISIS, Al-Nusra.

Ministri Hyseni fillimisht theksoi se këto takime po bëhen me qëllim që të gjithë së bashku të angazhohemi në një fushatë proaktive në mënyrë që të punohet sa më shumë në parandalimin e trafikimit me njerëz dhe parandalimin e lypsarëve, thuhet në njoftimin për media.

“Në Kosovë ky fenomen është i pranishëm dhe duhet me shumë seriozitet të merremi me këtë problem dhe për këtë duhet funksionimi zinxhirorë i institucioneve të sigurisë në Kosovë, në mënyrë që të luftohen grupet kriminale që merren me tregtinë me njerëz”, tha ministri Hyseni.

Edhe në Gjakovë ministri Hyseni shprehi shqetësimin lidhur ne numrin e shtuar të përdoruesve dhe të trafikimit të narkotikë dhe drogave.

“Kosova po kanoset më shumë nga përdorimi i narkotikëve dhe drogës dhe është shqetësuese se numri i tyre është duke u rritur dhe kryesisht në shkolla të mesme ku mesatarja e fëmijëve që fillojnë përdorimin e narkotikëve është 16-17 vjeç.”, theksoi ministri Hyseni.

Ministri Hyseni tha se për fat të mirë sa i përket temës së ekstremizmit të dhunshëm që shpi në terrorizëm jemi dëshmitar se që nga viti i kaluar, duke vazhduar me këtë vit kemi rezultate të kënaqshme, veç jemi në muajin e 11 që nuk kemi të regjistruar raste të shkuarjes së qytetarëve tanë në vatra të krizave dhe kjo ka ardhur si rezultati punës që kanë bërë MPB-ja, Policia e Kosovës dhe në rend të parë, punës që kanë bërë këshillat për siguri në nivel të Kosovës.

Situata e përgjithshme e sigurinë në rajonin e Gjakovës u vlerësua shumë e mirë dhe u konstatua se në bazë të takimeve me këshillat komunale për siguri është bërë një punë shumë e mirë në parandalim të shumë dukurive negative./GazetaExpress/