Hyseni përgëzon Policinë e Kosovës për operacionet e suksesshme

E publikuar: 25/03/2015 14:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka përshëndetur dhe përgëzuar Policinë e Kosovës dhe policinë e EULEX-it, për zbatimin e suksesshëm të dy operacioneve të arrestimit të dy grupeve kriminale të organizuara, të përfshira në dy raste të veçanta.

Njëri ka të bëjë me aksionin e përbashkët të Kosovës dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian, për arrestimin e të dyshuarve për organizim të migrimit ilegal dhe rasti i dytë i dyshuar për krim të organizuar, fajde dhe detyrim.

“Aksionet e sotme të Policisë dhe EULEX-it janë në vazhdën e përpjekjeve dhe përkushtimit të vendosur të organeve të rendit dhe të ligjit të Kosovës, për luftimin e pa kompromis të krimit të organizuar”, shprehet Hyseni.

Me këtë rast, ministri Hyseni theksoi se bashkëpunimi dhe aksionet e koordinuara midis policisë, EUROPOL-it dhe EULEX-it, do të vazhdojnë, me qëllim të adresimit dhe ndjekjes së formave të ndryshme të krimit me të cilat po përballet Kosova dhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe agjencitë tjera të zbatimit të ligjit, do të intensifikojnë punën për luftimin dhe ndëshkimin e të gjitha llojeve të krimit në Kosovë dhe përtej kufijve të saj”, theksoi me këtë rast ministri i Punëve të Brendshme. /Telegrafi/