Hykmete Bajrami tregon nëse është ekzekutuar pagesa e 170 eurove

E publikuar: 10/08/2020 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Financave ka njoftuar se pas ekzekutimit me sukses të masës 15, sot gjatë ditës nga Thesari janë ekzekutuar edhe 80,199 pagesa për përfituesit e 170 eurove nga masa 3a, prej të cilëve 3,369 mijë persona marrin pagesë të dyfishtë, ngase nuk kanë përfituar herën e parë.

Për masën 3a, mjetet mund të tërhiqen duke filluar nga sot në zyrat bankare, ndërsa pagesat e radhës do të kryhen në vazhdimësi nga nesër, në përputhje me listat të cilat pranohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit përgjegjëse për zbatimin e masave, ka thënë ministrja e Financave Hykmete Bajrami.

Sipas saj, pagesat e pakos emergjente janë strukturuar dhe do të kryhen në dy ditët në vazhdim.

Ministria e Financave rikujton se është e nevojshme të zbatohen udhëzimet e institucioneve shëndetësore, gjatë kryerjes se veprimeve bankare për tërheqjen e mjeteve.