Hykmete Bajrami takohet me guvernatorin e BQK’së, flasin për situatën ekonomike në vend

E publikuar: 09/06/2020 14:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka pritur në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti , me të cilin kanë diskutuar për situatën ekonomike në vend të shkaktuar nga pandemia COVID-19, si dhe për Programin e Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, MF’ja ka bërë me dije se gatë takimit është diskutuar edhe për përgatitjen e Rishikimit të Buxhetit duke u bazuar në Programin e Qeverisë, i cili program ka për fokus fuqizimin e sektorit privat dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Ministrja Bajrami e vlerësoi punën që po bënë BQK-ja si dhe kërkoi rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për implementimin e pakos për rimëkëmbjen ekonomike duke pasur parasysh se një pjesë bukur e mirë e investimeve në këtë fushë do të jetë përmes rritjes së financimit kreditor ku target kryesor do të jetë përmirësimi i kushteve të financimit për sektorin privat me qëllim të zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, Guvernatori Fehmi Mehmeti tha se sektori bankar në Kosovë ka një shkallë të lartë të qëndrueshmërisë dhe potencial për të rritur edhe më tej kreditimin e ekonomisë.

“Ai gjithashtu theksoi se duke pasur parasysh rënien e ekonomisë për shkak të pandemisë COVID-19, BQK-ja është e interesuar që bashkë me Qeverinë të jap kontributin e saj gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike”, thuhet në komunikatën e MF’së.