Huntsman: Ligji i Rusisë për mediet, “shqetësim i madh”

E publikuar: 18/11/2017 14:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, gjatë vizitës së tij në zyrat e Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës, në Moskë, ka thënë se ligji i ri i Rusisë që i shënjestron mediet e huaja, është “shqetësim i madh” për SHBA-në.

Ambasadori amerikan, Jon Huntsman, në shenjë mbështetje për Radion Evropa e Lirë dhe Zërin e Amerikës, ka thënë se “unë jam këtu, sepse amerikanët besojnë në lirinë dhe transparencën e shtypit dhe se këto janë elementet kyçe për një sistem demokratik të fortë dhe të suksesshëm”.

“Ne mendojmë se parimet e lirisë së medies në shoqëri dhe demokraci të lirë, janë kyçe për fuqizim dhe mirëqenie”, ka shtuar Huntsman.

Duma shtetërore ruse, më 15 nëntor ka kaluar një ligj që lejon operimin e medieve të huaja si “agjentë të jashtëm” duke kërkuar nga to detaje të plota rreth financimit dhe stafit. Ky ligj për t’u miratuar duhet të votohet nga Dhoma e lartë dhe të nënshkruhet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Huntsman ka thënë se pavarësisht kategorizimit ligjor të Moskës si përgjigje ndaj aksionit kundër transmetuesit shtetëror rus, RT në SHBA, ligji i Rusisë “nuk është fare reciprok”.

Vëzhgim “i kujdesshëm”

Ambasade Amerikane në Moskë ka paralajmëruar Rusinë kundër përdorimit të ligjit si mjet për të limituar lirinë e medies.

Zëdhënësja e Ambasadës Amerikane, Maria Olson, tha se Uashingtoni po mbikëqyr “me kujdes nëse ligji do të kalojë dhe si do të implementohet”.

Ligjbërësit rusë, e karakterizojnë ligjin si përgjigje ndaj Uashingtonit për kërkesat e tyre ndaj kontraktorit amerikan të RT-së, që t’i bëjë publike informatat financiare nën ligjin amerikan, për Regjistrimin e Agjentëve të Jashtëm (FARA).

Ambasadorja Olson, ka theksuar se ligji ka për qëllim vetëm publikimin e informatave për sponsorët e huaj që qëndrojnë prapa organizatave që kanë për qëllim të ndikojnë në politikën e SHBA-së.

“Siç u kemi thënë edhe bashkëbiseduesve rusë, FARA promovon transparencë pa ndaluar apo limituar lirinë e të shprehurit”, ka thënë Olson.

Ministria ruse e Drejtësisë ka publikuar një listë, në faqen e tyre online, që mediet e para që janë shënjestruar nga ligji, janë mediet e lidhura me Radion Evropa e Lirë dhe Zërin e Amerikës.

Këto medie, janë paralajmëruar më herët nga ministria se mund të ndikohen nga ky ligj.

Më 15 nëntor, pak kohë pasi Duma aprovoi ligjin, Ministria ruse e Drejtësisë, kishte dërguar një letër paralajmëruese te RFE/RL, servili rus dhe tatar, si dhe faqeve të tyre online.

Këto paralajmërime nuk përbënin ndonjë kërcënim specifik, përveç që ishin njoftuar se mund të përballeshin me kufizime.

Ndërsa, RFE/RL-ja, si përgjigje ndaj letrës kishin thënë se “ RT dhe Sputnik, që veprojnë në SHBA, veprojnë lirshëm në vend”.

“Mision i RFE/RL-së është të sigurojmë një gazetari, objektive dhe të saktë, për audiencën tonë ruse në gjithë botën, përfshirë Rusinë”, ka thënë RFE/RL-ja në deklaratën e saj.

Përgatiti: Linda Gjokaj