Huawei dëmton marrëdhëniet mes Britanisë dhe SHBA

E publikuar: 29/04/2019 21:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministres britanike Theresa May po i kërkohet nga vetë partia e saj dhe nga zyrtarët e lartë të shërbimeve të zbulimit të anullojë vendimin për t’i lejuar përkohësisht kompanisë kineze të teknologjisë, Huawei, të bëhet pjesë e procesit të ndërtimit të rrjetit britanik të komunikimeve celulare 5G.

Ata mendojnë se dhënia e një roli, qoftë edhe i kufizuar, kompanisë Huawei në ngritjen e rrjetit 5G do të vinte në rrezik pjesëmarrjen e Britanisë në grupin e vendeve të mbiquajtur “Pesë Sytë” që mundëson shkëmbimin e të dhënave të zbulimit mes pesë vendeve anglishtfolëse: Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Britania.

Lobimi për anulimin e vendimit të Kryeministres May pritet të intensifikohet pas publikimit këtë javë të një raporti me bashkëautorë një ligjvënës konservator dhe një ish-këshilltar të sigurisë, të cilët arrijnë në përfundimin se megjithë mohimet nga Pekini, kompania Huawei është në pronësi të një entiteti që i raporton “aparatit parti-shtet të Kinës”.

Raporti i publikuar nga organizata “Shoqëria Henry Jackson”, me seli në Londër, thotë se duke i lejuar kompanisë kineze qasjen në rrjetin e gjeneratës së ardhshme të komunikimeve celulare, do të kompromentonte sigurinë. Sipas raportit, 99% e kompanisë Huawei zotërohet nga Komiteti për Investimet dhe Aksionet Tregtare, pjesë e Federatës së Sindikatave Kineze, që është një entitet shtetëror.

Nënpresidenti amerikan Mike Pence dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u kanë bërë thirrje vendeve aleate perëndimore ta shmangin kompaninë Huawei për shkak të shqetësimeve të sigurisë, në veçanti pasi gjigandi kinez i telekomunikacionit mund të shërbejë si kali i Trojës për agjensitë kineze të spiunazhit, duke u mundësuar atyre të mbledhin komunikime dhe të dhëna zbulimi.

Në shkurt, Sekretari Pompeo paralajmëroi se “nëse një vend e pranon dhe e përfshin në sistemet më të rëndësishme të informacionit, ne nuk do të mundemi më të ndajmë të dhëna dhe nuk do të punojmë dot më së bashku”. Uashingtoni ka dërguar një zyrtar të Departamentit të Shtetit për të informuar sot ministrat e kabinetit britanik në mënyrë më të hollësishme rreth shqetësimeve amerikane për sigurinë.

Javën e kaluar, u njoftua nëpërmjet mediave se Kryeministrja May pati vendosur gjatë një takimi të Këshillit britanik të Sigurisë Kombëtare të lejojë kompaninë Huawei të ndërtojë disa nga pjesët e konsideruara jothelbësore të rrjetit britanik të teknologjisë 5G. Vendimi i saj u mor me gjithë kundërshtitë e disa shefave të shërbimeve të zbulimit, si dhe e ministrave të mbrojtjes dhe të jashtëm, Gavin Williamson dhe Jeremy Hunt, të cilët paralajmërojnë se do të ketë një ndikim serioz në marrëdhënien anglo-amerikane.

Agjencia e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (NSA) ka paralajmëruar se nëse Britania miraton përfshirjen e kompanisë Huawei, ajo rrezikon t’i ofrojë Kinës “një armë të mbushur”. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha Zërit të Amerikës se çështja pritet të ngrihet nga Presidenti Donald Trump gjatë vizitës në Britani në muajin qershor.

Australia dhe Zelanda e Re kanë vendosur të bllokojnë ose të kufizojnë rreptësisht përfshirjen e kompanisë Huawei në zhvillimin e rrjeteve të tyre 5G. Kompania mohon se kontrollohet nga qeveria kineze dhe thotë se paisjet e saj nuk mund të përdoren për qëllime spiunazhi. Ambasadori kinez në Britani, Liu Xiaoming, u shpreh dje se kompania ka një historik të mirë për sigurinë. Ai shkruan në një artikull në gazetën britanike “Sunday Telegraph” se çfarëdolloj bllokimi ndaj kompanisë Huawei do të ishte diskriminues dhe proteksionist. “Gjëja e fundit që do të priste Kina nga një Britani globale, të drejtë, dhe vërtet të hapur, do të ishte zhvillimi i lojës me rregulla që nuk janë njësoj për të gjithë”, shkruan ambasadori kinez.

Diplomati kinez i bëri thirrje Britanisë të injorojë paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara.

Vendimi i Kryeministres May është konsideruar naiv nga disa anëtarë të lartë të partisë së saj konservatore. Tom Tugendhat, kryetar i komisionit të parlamentit britanik për politikën e jashtme, ka paralajmëruar se nëse lejohet Huawei të ndërtojë ndonjë pjesë të infrastrukturës 5G, kjo do t’i “shtyjë aleatët të vënë në dyshim aftësinë tonë për të ruajtur sigurinë e të dhënave”, do të gërryejë besimin mes vendeve të grupit “Pesë Sytë”.

Zyrtarët e qeverisë britanike thonë se plani i përkohshëm e kufizon pjesëmarrjen e kompanisë Huawei vetëm tek paisjet e transmetimit, antenat në taraca dhe stacionet në terren, por se nuk do të përfshihet në infrastrukturën thelbësore, aty ku do të ruhen edhe të dhënat e klientëve dhe faturat. Disa ekspertë britanikë të sigurisë kibernetike thonë se ky kufizim do të mjaftonte për të shmangur rreziqet për sigurinë, ndërsa të tjerë thonë këto kufizime nuk garantojnë sigurinë.

Mosmarrëveshja për kompaninë Huawei po ndikon edhe tek vizita në Kinë e Sekretarit britanik të Thesarit, Philip Hammond, i cili po shpreson të zgjerojë marrëdhëniet ekonomike me Kinën, për t’i paraprirë kështu momentit të daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Duke folur në Pekin të premten, zoti Hammond lavdëroi “ambicien vërtet epike” të projektit kinez “Një brez, një rrugë”, një projekt ky masiv prej miliarda dollarësh që ndërthur tregtinë, investimet dhe programet infrastrukturore. Kjo iniciativë filloi në vitin 2015, duke synuar nxitjen e tregtisë në rrugë tokësore dhe detare mes Azisë, Afrikës dhe Evropës.

Disa vëzhgues sugjerojnë se vendimi i Kryeministres Theresa May në favor të kompanisë Huawei, duhet parë nën dritën e përpjekjeve të Britanisë për marrëveshje të reja në periudhën post-Brexit. /VOA