Hoyt Yee në Shkup, takon krerët e partive shqiptare

E publikuar: 30/04/2017 18:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili po qëndron për vizitë dyditore në Maqedoni, takimet i ka nisur me drejtuesit e partive politike shqiptare – me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, atë të lëvizjes Besa, Bilall Kasami, përfaqësuesin e Aleancës për Shqiptarët, Vesel Mehmedi, si dhe kryetarin e PDSH, së Menduh Thaçi.

Nga këto takime, siç bëhet e ditur nuk do të ketë prononcime për mediet nga zyrtari i lartë amerikan, i cili të hënën pritet të takojë presidentin Gjorge Ivanov, kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryetarët e LSDM-së, Zoran Zaev dhe të VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Pas takimit me zv.ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka thënë se Maqedonisë si asnjëherë më parë i duhet stabilitet dhe se procest duhet të vazhdojnë pavarësisht kundërshtimit të VMRO-së dhe akteve të dhunës.

Ahmeti tha se nga diplomati amerikan ka marrë mbështetjen në proceset e nisura dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvedit, Talat Xhaferi.

“Maqedonisë në këtë situatë më së shumti i duhet stabiliteti, i duhet që proceset të zhvillohen në rrugë të mbarë, i duhet që institucionet të funksionojnë. Sigurisht që kthim pas nuk ka nga të gjitha këto zhvillime, nëse ne nuk vetëdijësohemi, sigurisht që i dobësojmë të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Të pranohet ky realitet i ri, zgjedhja e kryetarit të Parlamentit të mbështetet edhe nga ato forca që kontestojnë zgjedhjen e Xhaferi, si kryetar të Kuvendit sepse emërimi i tij është bërë në rrugë ligjore dhe legjitime”, ka theksuar Ahmeti.

Ai tha se BDI-ja nuk do të pranojë pjesëmarrjen në seancat e Kuvedit të thirrura nga Trajko Veljanovski, pasi siç tha, ai nuk ka të drejtë morale e as ligjore të thërras seancë, sepse nuk ka shumicë parlamentare.

Në fokus të takimeve është kriza politike, e cila u përshkallëzua në dhunë si pasojë e ndërhyrjes së protestuesve në Kuvend kundër zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe formimit të qeverisë nga shumica e re parlamentare.

Fizikisht ata sulmuan shumë deputetë të LSDM-së dhe më së keqi i pësoi lideri i partisë, Zoran Zaev, kandidat për kryeministër. Në mesin e të rrahurve është edhe Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, i cili ende vazhdon të trajtohet në spital.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare besojnë në ndërhyrje më të fuqishme nga SHB-ja kundër atij që e quajnë regjim të Gruevskit për të parandaluar skenarë të tjerë që mund të destabilizojnë Maqedoninë drejt një konflikti edhe ndëretnik.

“VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit do të tentojë të përdorë forma të ndryshme për ta penguar funksionimin e kryeparlamentarit, mirëpo shpresoj se tani ndërkombëtarët, e në veçanti SHBA-ja do të përdorë instrumente më efikase për ta neutralizuar apo izoluar nga veprimi i mëtejmë destruktiv që mund të jetë edhe më i rrezikshme për stabilitetin e vendit”, thotë Ismet Ramadani, drejtues i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë.

Ai thekson nevojën e veprimit sa më të shpejtë të kryeparlamentarit Xhaferi dhe të shumicës parlamentare për formimin edhe të qeverisë. Ai thotë se kreu i Kuvendit duhet t’i nisë një letër presidentit Ivanov me kërkesën për mandatimin e Zaevit për kryeministër dhe nëse këtë nuk e bën, atëherë sipas tij, shumica parlamentare duhet vetë që të zgjedhë edhe qeverinë e re.

Ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjedhja e Talat Xhaferit për kryeparlamentar, është legjitime dhe se ai duhet të vazhdojë me hapat tjerë për zgjedhjen e qeverisë. Andov thotë se ajo që ka ndodhur në Maqedoni me sulmin ndaj deputetëve të Kuvendit, nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës.

“Kryetar të Kuvendit zgjedh vetëm shumica parlamentare dhe askush tjetër. Çdo pretendim tjetër se populli duhet të vendosë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, është qesharak dhe me qëllim të caktuar. Talat Xhaferi ka marrë shumicën e votave dhe ai tani duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet për formimin sa më të shpejtë të qeverisë”.

“Gjithashtu, duhet të ndërmerren të gjitha procedurat e nevojshme për nxjerrjen para drejtësisë të atyre që lejuan ushtrimin e dhunës ndaj të zgjedhurve të popullit. Kjo është e patolerueshme dhe besoj se jemi shteti i vetëm, në të cilin ka ndodhur diçka e tillë. Si kryeparlamentar, në tre mandate kam parë raste kur janë rrahur deputetët mes vete, por asnjëherë që brenda Kuvendit të hyjnë njerëz dhe t’i rrahin deputetët. Kjo ishte e tmerrshme”, tha Andov duke besuar në ndihmën edhe të faktorit ndërkombëtar për kapërcimin sa më të shpejtë të krizës.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike, konsideron se gishti duhet drejtuar nga presidenti Ivanov, i cili është një nga pengesat kryesore për zgjedhjen e qeverisë.

Sinani thotë se lajmi se zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee do të takohet edhe me presidentin Ivanov, është sinjal i mirë, duke marrë parasysh se kreu i shtetit më parë kishte refuzuar të takohet me zyrtarë të lartë nga Brukseli.

“Mendoj se Hoyt Yee do të jetë i vendosur që të vazhdohet më tutje dhe tani pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, të zgjidhet edhe qeveria e re që do të drejtohet nga Zoran Zaev e cila do ta nxjerr vendin nga kriza, në të cilën e ka çuar Nikolla Gruevski”, thotë Sinani.

Ditë më parë ambasadat e huaja në Shkup dënuan ashpër dhunën ndaj deputetëve duke kërkuar zbardhjen e rastit dhe dënimin e autorëve.

“Sulmi ndaj një institucioni shtetëror, i cili paraqet zemrën e demokracisë, është sulm ndaj vetë demokracisë. Presim që këto vepra penale të hetohen në mënyrë sa më të shpejtë dhe organizatorët e autorët e sulmit të sillen para drejtësisë”, thuhej veç tjerash në deklaratën e përbashkët të delegacionit të BE-së, Ambasadës Amerikane, misionit të OSBE-së dhe zyrës së NATO-s.