Hoxhaj thotë se PDK do të jetë partia më e votuar në zgjedhje, fton Kurtin për përballje në pesë debate televizive

E publikuar: 13/01/2021 15:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kritikuar qeveritë e kaluara, duke thënë se PDK është e vetmja parti e cila ka guxim dhe dije të zgjidh problemet që kanë qytetarët.

Në një konferencë për media, Hoxhaj ka thënë se vendi është duke u rrezikuar, transmeton Telegrafi.
“Kosova rrezikohet nga pandemia dhe pasojat ekonomike, dhe rreziku nacional është mënyra se si është menaxhuar pandemia. Në këto aspekte, të dyja qeveritë gjatë vitit 2020 kanë dështuar dhe kjo është një arsye e fortë që qytetarët e Kosovës të shqetësohen. Rreziku i tretë është nga mungesa e stabilitetit, për shkak të përçarjes së skenës politike në Kosovë për shkak të hasmërive. Rreziku i katërt vjen nga Gjykata Speciale në Hagë. Kosova nuk është shtet i ndërtuar nga kriminelët e luftës, por është i ndërtuar nga heronjtë e saj, që ka arritur shumë”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka thënë se është mirë që po mbahen zgjedhjet më 14 shkurt.

“Zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt është lajm i mirë, pasi që i jepet fund degradimit të madh edhe politik edhe shoqëror edhe ekonomik me të cilin ka hy vendi. Nuk ka parti tjetër politike që ka më shumë përvojë e dije që t’i zgjedh problemet që kanë qytetarët e Kosovës. PDK i vetmi subjekt që mund ta nxjerrë vendin nga balta që e kanë futur partitë politike”, është shprehur ai për media.

Gjithashtu, kandidati Hoxhaj ka ftuar kreun e LVV-së, Albin Kurtin që të përballet me të në pesë debate televizive.

Hoxhaj ka thënë se me debate të tilla do të kenë mundësi të tregojnë se kush është më i përgatitur për zgjedhje, dhe se PDK do të jetë partia më e votuar në këto zgjedhje.
Në fund të konferencës, Hoxhaj njoftoi se slogani i PDK-së në këto zgjedhje do të jetë “Rimëkëmbje”.