Hoxhaj i reagon Vuçiqit për njohjet: Po e rrezikon normalizimin e raporteve

E publikuar: 14/12/2017 16:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksander Vucic të bëra nga samiti për ndryshimet klimatike në Paris.

Hoxhaj e konsideron të papranueshëm keqpërdorimin e këtij samiti nga ana e Vucicit për agjendë kundër shtetësisë së së Kosovës. Ai tha se samite të tilla duhet të përdoren për adresimin e çështjeve mjedisore në Ballkan, shkruan Express.

Më tutje, Hoxhaj ka thënë se fushata agresive e Serbisë kundër njohjeve të Kosovës dhe presioni i vazhdueshëm ndaj shteteve që e kanë njohur Kosovën e pavarur, e dëmton dialogun mes dy vendeve dhe normalizimin e marrëdhënieve.

“Serbia është e vetëdijshme se dialogu do të përfundojë me një marrëveshje obligative ligjore që nënkupton njohje të ndërsjellët” ka thënë Hoxhaj.

Ky reagim ka ardhur pas deklaratave të presidentit serb Vucic se ka lobuar tek shumë shtete dhe se pret që së shpejti një numër i shteteve do ta tërheqin njohjen e Kosovës.