Hoxhaj: Pika kufitare Stanqiq-Bellanoc gati në fund të gushtit

E publikuar: 10/06/2019 13:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka vizituar pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut, në Stanqiq – Bellanoc, së bashku me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Hoxhaj tha se punimet në këtë pikë kufitare do të përfundojnë në fund të muajit gusht.

Ai tha se këtë vizitë po e realizojnë në 20-vjetorin e tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, krejt kjo me qëllim që t’i jepet kuptim simbolik kësaj pike kufitare që do t’i afrojë këto dy vende.

“Sot është 10 qershori kur ne festojmë paraqitjen e Lidhjes së Prizrenit si një artikulim i kërkesave të shqiptarëve kudo që jetojnë”.
“Sot është edhe 20-vjetori i miratimit të rezolutës 1244 dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova prandaj kemi vendosë që në këtë ditë simbolike t’ia japim një kuptim të ri kësaj pika kufitare që do t’i afrojë vendet tona”.
Ai madje ka paralajmëruar se pika të reja kufitare do të ketë edhe me shtet e tjera fqinje, raporton EO, transmeton Klan Kosova.

“Në fund të gusht më 28 mund të jetë përfundimi i punëve. Besoj se automjete e para do të kalojnë brenda një afati të shkurtë kohor. Sikur se e kemi hapë këtë pikë do të kemi edhe pika tjera kufitare me Shqipërinë dhe Malin e Zi”.

Edhe Osmani tha se pret që në fund të verës të qarkullojnë veturat e para në këtë pikë kufitare.
“Presim që në fund të verës edhe veturat e para të kalojnë nëpër këtë pikë që lidhë Kosovën dhe Maqedoninë e veriut. Do të përafrohen njerëzit që jetojnë në këtij zona dhe do të rritet prodhimi tregtar”.
Ndërsa për pikën kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë ai u shpreh se nuk ka vullnet të kësaj të fundit.

“Qëndrimi zyrtar i Serbisë sa i takon Pikës kufitare me Serbinë, Miratoc është se ata nuk kanë interes ta hapin këtë pikë sepse e vlerësojnë se nuk është kosto efektive ose sepse sipas tyre se 13 km afër asaj pike kufitare është pika tjetër dhe për disa kalime gjatë ditës ata nuk kanë llogari të mbajnë njerëz atje e infrastrukturë”.