Hoxhaj: Kosova dhe NATO hapin kapitull të ri të bashkëpunimit

E publikuar: 08/12/2016 12:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj në një konferencë të përbashkët me kryeministrin, Isa Mustafa tha se vendi sot ka marrë një rrugëtim të ri drejt NATO-s

Hoxhaj tha se Kosova ishte konsumuese e paqes në rajon, ndërkaq tashmë është kontribuuese e saj.

Ministri i Jashtëm tha se letra e nënshkruar nga sekretari i NATO-s, konfirmon vullnetin që të rritet bashkëpunimi Kosovë-NATO.

“Nga sot kemi një rrugëtim të ri të NATO-s. Kosova e cila deri më sot ishte konsumuese e paqes në rajon tash është kontribuuese e saj. Kemi bërë përpjekje maksimale që të rrisim numrin e njohjeve dhe qëllimi jonë është që ta shtrijmë sovranitetin dhe këtë do ta bëjmë duke u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare”, u shpreh Ministri Hoxhaj.

Në letrën e NATO-s kanë ofruar mundësi për aktivitete shtesë të dizajnuara për të fuqizuar bashkëveprimin me Kosovën.

Këto aktivitete përfshijnë:

– Rritjen e vizitave të Këshillit të Atlantikut Verior dhe takimet me Ekipin Këshillues Ndërlidhës të NATO-s si dhe autoritetet relevante të Kosovës, përmes të cilave do të zgjerohet dialogu politik.

– Pastaj dialogu për aktivitetet e bashkëpunimit praktik me NATO-n.

– Aktivitete shtesë të përshtatura për nevojat specifike të Kosovës, të cilat mund të përfshijnë mbrojtjen e rrjeteve informatike, edukim, trajnime dhe logjistikë.

– Zgjerim të aktiviteteve në kuadër të Programit “Ndërtimi i Integritetit” me qëllim të rritjes së kapaciteteve institucionale.

– Pjesëmarrje në disa prej aktiviteteve të Programit të NATO-s “Shkenca për Paqe dhe Siguri”, që ka të bëjë me mekanizmat që ofrojnë mundësitë për shkencëtarët dhe ekspertët e NATO-s dhe vendeve partnere të bashkëpunojnë në relacionet e shkencave civile, teknologjisë dhe të inovacionit.

– Konsiderimi i mënyrave që Forca e Sigurisë së Kosovës, në suaza të mandatit të saj, të marrë pjesë si vëzhguese në ushtrimet e Qendrës Koordinuese Euro-Atlantike për Reagim në Fatkeqësi (EADRCC).

– Eksplorimi i mënyrave që FSK-ja, në koordinim me Ekipin Këshillues Ndërlidhës, të marrë pjesë edhe në ushtrimet e KFOR-it, në përputhje me mandatin e saj.

– Ndërkaq, Divizioni për Diplomaci Publike i NATO-s do të konsideroj rrugët e për bashkëpunim dhe përkrahje të institucioneve relevante të Kosovës, OJQ-ve, Universiteteve, dhe akterëve tjerë të shoqërisë civile që merren me çështje të paqes dhe sigurisë, me komunikim dhe diplomaci publike.