Hoxhaj: Këtë vit kosovarët s’mund të udhëtojnë pa viza në BE

E publikuar: 24/10/2018 11:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se këtë vit kosovarët s’mund të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se, përderisa Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret do të ishte e drejtë nga Bashkimi Evropian të ketë vendimmarrje gjatë këtij viti për liberalizim të vizave për vendin.

“Ajo çfarë ne presim këtë vit është një vendim politik, natyrisht se nuk do të ketë mundësi që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë më 2018-n pa viza, por ne presim që në dhjetor të ketë një vendim politik, i cili e qartëson se kur mund të udhëtojmë në vitin 2019 pa viza. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e mundshme. Neve na u është thënë se procesi është teknik, jo politik dhe nëse i kryejmë punët tona Kosova në fund të procesit do të shpërblehet. Ne i kemi bërë punët të cilat janë pritur nga ne dhe besoj se BE-ja do ta shpërblejë Kosovën me një gjë të tillë”, ka thënë Hoxhaj për “Zërin”.

Edhe pse ka shtete hezituese për këtë proces brenda BE-së, Hoxhaj vlerëson se kjo nuk ka arsye që të mos e përmbyllë procesin e vizave për Kosovën.

“Duket se kohëve të fundit ka hezitim në disa prej kryeqyteteve të shteteve anëtare të BE-së, mirëpo nuk është mirë të përmenden emrat e këtyre shteteve anëtare sepse ende nuk është fuqizuar qëndrimi i tyre në Bruksel, por qasja jonë është që BE-ja nuk ka asnjë arsyeje të mos e përmbyllë këtë proces”, ka theksuar ai.

Tutje ai ka thënë që institucionet e vendit dhe partitë politike pa dallim duhet ta bëjnë të qartë që nëse nuk i jepen vizat Kosovës do të ishte një padrejtësi e madhe për Kosovën nga ana e BE-së.