Hoxhaj e Hamza: Kemi dizajnuar fondin 1 miliardë euro për Rimëkëmbjen ekonomike

E publikuar: 18/01/2021 15:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga nënkryetari i PDK Bedri Hamza, ka takuar sot përfaqësues të bizneseve në vend, me të cilët ka debatuar për programin e rimëkëmbjes ekonomike të cilin e kanë prezantuar ditën e djeshme, njoftojnë nga kjo parti.

Hoxhaj duke iu drejtuar përfaqësuesve të bizneseve tha se nuk ka ndonjë subjekt politik si PDK e cila e sheh sektorin privat partner të mirëfilltë të saj, pasi siç theksoi, e dinë se ata që mund të krijojnë vende të punës, të rrisin ekonominë janë përfaqësuesit e biznesit privat.

Ai është shprehur i bindur se gjatë mandatit të parë në krye të qeverisë së vendit do të ndryshojnë gjendjen ekonomike në vend, derisa tha se janë të vendosur që të adresojnë të gjitha problemet që bizneset i kanë si pasojë e pandemisë.

Hoxhaj po ashtu tha se dy partitë tjera, LVV e LDK, kanë dështuar në menaxhimin e pandemisë COVID-19, derisa u shpreh se të njëjtat kanë dështuar pastaj edhe në adresimin e pasojave që pandemia ka pasur tek bizneset.

Partia Demokratike e Kosovës ka prezantuar Bedri Hamzën si ministër të financave kur të vije në Qeveri.

Përfaqësuesit e bizneseve diskutuan lidhur me projektin e rimëkëmbjes ekonomike të prezantuar nga PDK, për çka kërkuan edhe sqarime të detajuara se si do të zbatohet ai.